Transmetuar më 24-01-2018, 14:51

Teksa sezoni i gripit ka shtuar fluksin e radhëve të gjata të prindërve me fëmijët në Pediatrinë e QSUT-së, ku presin për t’i vizituar duket se kjo pritje ka shkaktuar edhe një sherr mes tyre.

Burime policore bëjnë me dije se sot rreth orës 13.20, është njoftuar se në ambjentet e urgjencës së Spitalit Pediatrik ka patur një konflikt.

Menjëherë në vendgjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se brenda ambjenteve të spitalit kishte patur një konflikt midis 3 prindërve që prisnin në rradhë për të vizituar fëmijët.

Njëri prej tyre është punonjës i një Policie private konkretisht shtetasi A.C., i cili është konfliktuar me dy prindërit e tjerë konkretisht A.Sh. dhe D.F.

Ata janë shoqëruar në komisariat, ku në deklaratën e tyre A.Sh. dhe D.F., pretendojnë se polici privat u ka treguar armën që mbante me vete.

Kjo situatë ka shkaktuar panik jo vetëm në radhët e prindërve dhe fëmijëve por edhe në stafin mjekësor të urgjencës. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /b.l/noa.al/