Transmetuar më 24-01-2018, 08:01
Publicitet

Nga Stambolli, Rezart Taçi ka ndërhyrë në emisionin ‘Opinion’ këtë të martë në një lidhje telefonike. Ai është përpjekur të sqarojë raportin e tij me rafinerinë e naftës në Ballsh, duke theksuar se nuk ka asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar.

Ai tha se ndodhet në Stamboll, por në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër të botës deklaroi se nuk ka asnjë dënim, ndaj shtetit dhe ndaj palëve të treta.

Taçi bëri me dije se ka dy vjet e gjysëm që nuk ka qenë në Shqipëri.

Ai shtoi se ARMO është blerë 128 milionë e 750 mijë euro dhe brenda tre muajsh janë paguar edhe 40 milionë dollarë detyrime që kishte kompania shtetërore.

“Gjatë menaxhimit tim në 5 vjet, kjo kompani ka punuar vetëm 6 muaj dhe në këto 6 muaj janë paguar të gjithë punëtorët e mi. Unë si sipërmarrës pata një ide dhe e implementova me shumë pasion. Pas 11 vitesh studim dhe investimesh e bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm, prezantova një plan binzesi në një tender ndërkombëtar. Ideja ime ishte për t’i dhënë vlerë aseteve të Shqipërisë. Pasi dola fitues, pagova paratë. Meqenëse ishte një ide goxha e studiuar, kam rritur rrogat dhe kam dhënë shpërblim për impenjimin e tyre. Gjithë bashkëpunëtorët e ARMO-s janë të gjithë të sëmurë nga problemet e ambientit. Gjatë gjithë 5-vjeçarit nuk është akumuluar asnjë detyrim, përveç disa muajsh sigurime shoqërore. Nuk janë paguar vetëm 170 milionë kur u ble, por edhe 230 milionë të tjera për të mbajtur bashkëpunëtorë pa punë”, u shpreh Taçi.

Ai deklaroi se asaj industrie i janë bërë të gjitha ligjet, që të mos funksionojë.

Taçi u shpreh i prerë kur tha se kompania nuk ka për të punuar kurrë, nëse nuk ka ekspertizë institucionet e shtetit, duke thënë se “Rafineria e Ballshit, humb 3 milionë dollarë në muaj. /a.y/noa.al