Transmetuar më 23-01-2018, 19:15
Publicitet

Vendet e Europës kanë disa operatorë të shitjes së energjisë për familjet dhe subjektet e ndryshme. Në Shqipëri shitja e energjisë elektrike është ende monopol, ashtu si shumë vite më parë, monopol ishte dhe telefonia celulare në vendin tonë

Shqipëria duhet ta kishte ndarë ligjërisht OSHEE-në në dy pjesë, në pjesën teknike të rrjetit dhe pjesën tregtare, që merret me furnizimin e konsumatorëve.

Detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, parashikojnë madje afat: vitin 2015. Plot 3 vjet më vonë OSHEE vazhdon të jetë një kompani e vetme. Për këtë shkelje të detyrimit, Sekretariati i energjisë me qendër në Vjenë ka hapur një çështje kundër Shqipërisë. I kontaktuar nga Top Channel zëvendës-drejtori i sekretariatit dhe këshilltari ligjor Dirk Buschle sqaroi se kjo ndarje ligjore e OSHEE duhet të ishte bërë që në vitin 2015.

“Në të vërtetë, kompania shtetërore OSHEE nuk është ndarë në dy entitete të ndara (siç kërkohej nga rregullat e Komunitetit të Energjisë që nga 1 janari 2015). Një ndarje e tillë rrit transparencën dhe shmang diskriminimin dhe subvencionimin, përmes rolit të OSHEE si operator i infrastrukturës dhe furnizuesit të energjisë elektrike”, thotë Dirk Buschle, zv. drejtor i Sekretariatit të Energjisë.

Por pse është i rëndësishëm procesi i ndarjes së OSHEE, në pjesën tregtare dhe atë teknike? Në fakt edhe ligji shqiptar për energjinë, parashikon liberalizimin e tregut të shpërndarjes. Por ekzistenca e një ndërmarrje të vetme, e çon tregun e energjisë në një situatë monopoli, ku klientët, qytetarë apo biznese, nuk mund të zgjedhin lirisht. Sot i vetmi furnizues i energjisë në treg është OSHEE.

Nëse OSHEE do të ishte ndarë ligjërisht në dy ndërmarrje, atëherë rrjetin e saj do të mund ta përdornin kundrejt pagesës edhe operatorët e tjerë dhe çmimet e energjisë mund të ishin më konkurruese. Rritja e konkurrencës pohohet dhe nga korrespondenca që Top Channel pati me sekretariatin e energjisë në Vjenë.

“Është parakusht për të sjellë konkurrencë në tregun shqiptar dhe t’u japë klientëve një zgjedhje të vërtetë. Më vjen keq që ndryshe nga vendet fqinje (p.sh. Kosova, Maqedonia), Shqipëria nuk ka arritur të përmbushë këtë detyrë. Brenda një afati prej dy muajsh, Shqipëria tani duhet të arrijë dhe të ndajë OSHEE në mënyrë që ky rast të mbyllet”, thotë ai.

Në rast se nuk veprohet brenda dy muajsh këshilli ministerial i Sekretariatit të Energjisë do të vendose mbi këtë çështje. Ky është lajmi i dytë negativ që vjen për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë pas vlerësimit të Bankës Botërore se reforma në energji nuk arriti objektivat e uljes së humbjeve të energjisë në rrjet.

Në raportin e fundit mbi projektin e rimëkëmbjes energjetike Banka Botërore nënvizon se programi i investimeve të OSHEE-së nuk ka dhënë efekte në uljen e humbjeve teknike në rrjet.