Transmetuar më 22-01-2018, 13:40

Katër punonjës të policisë kufitare, janë vënë në prangat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të akuzuar për korrupsion dhe kontrabandë. 

SHÇBA finalizoi paraditen e sotme operacionin e koduar “Trebishti”, gjatë të cilit u arrestuan katër punonjës të Policisë Kufitare në Trebisht të Dibrës për veprat penale “Korrupsion pasiv, të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”.

Të arrestuarit janë Sulejman Xheleshi, përgjegjës i PKK Trebisht; Shehat Kazani, me detyrë trup shërbimi në PPK Bllatë; Sulejman Islami, me detyrë trup shërbimi në PPK Bllatë dhe Vinar Seitaj, trup shërbimi në Kom e Policisë Burrel, më herët trup shërbimi në PKK Trebisht.

Hetimi nga strukturat e SHÇBA, nisën mbi bazën e informacioneve të siguruara dhe zgjatën rreth tre muaj dhe u ndoqën me metoda speciale.

Katër punonjësit e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë favorizuar disa biznese dhe shtetas për të shmangur detyrimet doganore, në këmbim të shumave që shkonin deri në 100 mijë lekë të reja.

SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të policisë, në numrin falas 0800 90 90 ose të shkruajnë në adresën [email protected]. /a.y/noa.al

Foto ilustruese