Transmetuar më 22-01-2018, 10:41

Kryeministri Edi Rama bashkë ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri mbajti paraditen e sotme një interpelancë me naftëtarët e Ballshit, përmes një videokonference.

Naftëtarët iu ankuan Kryeministrit, duke kërkuar që të garantohen detyrimet e punonjësve dhe pagat e prapambetura dhe të garantohet statusi i naftëtarit.

Ata kërkuan fillim dhe vazhdim të punës me cikël të mbyllur të naftës të vendin.

Ata thanë se Mallakastra është zhytur në krizë dhe se shumica e punonjësve janë me kredi nëpër banka.

“Ta kthejmë në jetë industrinë e përpunimit të naftës. Mallakastra e ka të vetmin aset që i jep jetë ekonomisë së kësaj krahine ndërhyni. Rafineria është e vetmja mundësi financiare për të mbajtur familjet tona”, u shprehën naftëtarët.

Po ashtu ata e pyetën Kryeministrin, nëse do e mbajë premtimin se do u jepen paratë e prapambetura.

Në përgjigje ndaj tyre ministri Gjiknuri u premtoi naftëtarët se ata do të jenë të parët që do të trajtohen ekonomikisht.

“Të gjithë ata që kanë statusin do të kenë përfitimin. Jeni të parët që ai komision do të trajtoj me shpejtësi dhe me precedenca, çështja e statusit është vetëm çështje vullneti është krejt e zgjidhshme, pasi kjo gjë u takon me ligj. Për problemet që keni pasur me mos pagimin, unë kam bërë ndërhyrje dhe tek banka dhe do të ketë një zgjidhje të shpejtë”, u shpreh Gjiknuri. 

Ministri u bëri thirrje naftëtarëve që për statusin të bëjnë gati sa më parë dokumentet, në mënyrë që të kenë përparësi. /a.y/noa.al