Transmetuar më 21-01-2018, 13:14

Ministria e Punëve të Jashtme del me deklaratë lidhur me takimin e mbajtur në Korçë nga dita e premte deri mesditën e së dielës, mes ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe atij grek, Nikos Kotzias.

Bëhet me dije se takimi tre ditor, erdhi në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar.

Deklarohet se të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat europiane.

“Diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive. Të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim”, thuhet në vijim të qëndrimit. /a.y/noa.al