Transmetuar më 21-01-2018, 11:35

Kanë kaluar 7 vite nga demonstrata e 21 Janarit, ku si pasojë e tensionimit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", humbën jetën katër persona. Edi Rama priti sot në Kryeministri familjarët e viktimave, ku tha se kjo ditë e vitit është kthyer në një dëshmitar kombëtar i pafuqisë çerekshekullore të njeriut të zakonshëm të këtij vendi, përballë murit qorr dhe shurdh të drejtësisë së tredhur nga krimi dhe korrpupsioni.

Në vijim kreu i qeverisë shtoi se koha ikën dhe drejtësia vonon, duke nënvizuar se beteja e shpallur tre vitet e fundit për transformim drastik të drejtësisë, ndeshet me organizata krimianle në pallatin e drejtësisë në parlament e kudo.

“Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më prej 7 vitesh. Plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjeeve shtatëfish më cëmbuese. Kur përpiqesh ta imagjinosh dhimbjen e kësaj plage në këto familje, ti mendon se drejtësia nuk është e kësaj bote dhe të vjen në mendje shprehja e moçme latine ‘Ia vlen të shkatërrosh botën për të vendosur drejtësinë në këtë dhe atë jetë’”, u shpreh Rama.

Ai tha se nuk do që ta fshehë që 21 Janari vjen për të me një vigjilie që ka një rëndesë të posaçme, se ka ikur dhe një vit tjetër dhe drejtësia ka vonuar.

“Sapo takohesh me familjarët, pesha i lë vendin një qetësie të kthejllët sepse nga njëra anë ju miqtë e mi dhe të nderuar shfaqeni mes nesh me provën se nuk e humbisni durimin, as shikimin, as drejtpeshimin, përballë një tragjedie që ju la pa djalë, pa baba, pa burrë, pa nip, si një barrë që mund tu lihet të tjerëve përmes zhgënjimit, urrejtjes apo shpagimit! E mbani si një kryq që të tjerët nuk duhet ta humbasin nga sytë, deri kur drejtësia të vij”, deklaroi Rama.

Sipas tij, qetësia e kthjellët lidhet me faktin se se një botë e tërë ka nisur të shkundet nga themelet, pallati i drejtësisë duke shtuar se të vrarët e 21 Janarit “u rivranë në gjykatë”.

Ai shtoi se çerekshekulli është shumë për të dhënë drejtësinë që s’bëhet dhe shtetin që s’bëhet, por deklaroi se reformat s’janë qetësues dhe as karamele për ta bërë pritjen më të ëmbël.

“Nuk po shohim asgjë’, është fjalia që e përmbledh atë. Krejt kuptueshëm! Dita e sotme e bënë lënguese spazmën që si zakonisht mllefi i padurisë i drejtohet politikës, mua padyshim ‘Pse si fut në burg?’, “Jeni të gjithë vrasës’ dhe shto ujë akuzash e miell mallkimesh”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se ndryshimi në drejtësi ka kaluar, nga sistemi i drehjtësisë popullore në shtetin e së drejtës.

“A ka humbur drejtësia? Pa dyshim drejtësia pas diktaturës ka qenë një humbëse e madhee, sa herë që padrejtësia në pushtetin e parasë ka qenë palë në proces. Drejtësia padyshim ka humbur beteja, por luftën jo e jo”, deklaroi Kryeministri, duke shtuar se fundi është më i afërt se dy vjet më parë.

Ai u zotua se në shkurt do të fillojë padiskutim ndëshkimi i atyre që mbajtën peng drejtësinë, prokurorë apo gjykatës qofshin.

Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara Kryeministrisë të thirrur nga kryesocialisti Edi Rama, humbën jetën protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. /a.y/noa.al