Transmetuar më 20-01-2018, 12:24

Vijon sot dita e dytë e bisedimeve mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje një sërë problemesh të mbetura pezull mes dy vendeve.

Pronat e kishës ortodokse mësohet se ishte dosja e parë e hapur, dje, në tryezën e ministrave dhe stafeve, teksa sot nis diskutimi për çështjen çame dhe minoritetet.

Nikos Kotzias erdhi një ditë më parë në këtë qytet, pas organizimit të një takimi tre ditor me ministrin Bushati. Por, mëngjesin e sotëm mësohet se para hotelit ku qëndronte ministri grek në Korçë, janë mbledhur anëtarë të shoqërisë civile dhe familjarë të Pëllumb Marnikollajt. 

Ky i fundit është shqiptari i cili humbi jetën në një komisariat në Greqi. Familja e tij protestoi mëngjesin e sotëm për të drejtat e të burgosurve shqiptarë në Greqi.

Me parrulla në duar, ata fillimisht kanë ndezur qirinj e kanë mbajtur një minutë heshtje për 28-vjeçarin nga Lezha, si dhe nuk i kanë kursyer thirrjet për mbrojtjet e shqiptarëve.

Bisedimet mes palëve do zgjasin për tre ditë, dhe po mbahen në një hotel të vogël privat në qytetin juglindor, i vënë plotësisht në dispozicion të delegacioneve zyrtare të Tiranës e Athinës. 

Ky raund i ri, pason takimin e ngjashëm në ishullin grek nga 10 deri më 12 nëntori i vitit të kaluar, ku edhe pse nuk pati rezultate konkrete palët shfaqën optimizëm dhe theksuan rëndësinë e dialogut./b.l/noa.al/