Transmetuar më 20-01-2018, 10:07

Deputeti demokrat, Tritan Shehu ka reaguar pas takimit të djeshëm mes ministrit tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologut grek, Kotzias, mbajtur në qytetin e Korçës.

“Takimet në diplomaci janë veprime pothuajse gjithmonë pozitive, veçanërisht kjo kur realizohen midis fqinjësh e partnerësh, siç është rasti i ynë me Greqinë. Jam i kënaqur që Rilindja pas 4 vite politika absurde, që dëmtuan rëndë marrëdhëniet me Greqinë, “arriti të kuptojë”, ose së paku dëshiron të transmetojë imazhin se këto lidhje të rëndësishme duhen rivendosur. Por tashti pas disa vite ecje si “gaforrja”, kjo në tërësi me politikat në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk është e lehtë”, tha Shehu.

Siç shprehet deputeti demokrat, kthimi i marrëdhënieve me Greqinë në pikën shumë pozitive të vitit 2013, kur edhe roli i Shqipërisë si Faktori Kryesor i Stabilitetit në Rajon kishte marrë formë, gjë që sipas tij tani është venitur, kërkon të “gëlltitësh shumë nga çfarë ke nxjerrë”.

Sipas Shehut, aventurizmi në politikën tonë të jashtme e rajonale na ka ulur kredibilitetin përpara partnerëve e ka dobësuar pozitat tona, pra sipas tij arritja tani e çdo marrëveshje do të jetë me një “çmim më të lartë për ne”.

“Aventurizmi në politikën tonë të jashtme e rajonale na ka ulur kredibilitetin përpara partnerëve e ka dobësuar pozitat tona, pra arritja tani e çdo marrëveshje do të jetë me një “çmim më të lartë” për ne. Kjo u provua qartësisht edhe në takimin e Athinës, në rimarrëveshjen e Varrezave të Ushtarëve, gjë që përsëritet në Korçë. Kjo do të provohet edhe në hapat e tjera, përfshi edhe në rinegocimin e Marrëveshjes së Ujërave Detare”, shton ai.

Ndërsa si pikë të tretë Tritan Shehu ka deklaruar se për të ngjallur besueshmëri duhet transparencë e dikush duhet të përgjigjet për 4 vite gabime jo vetëm në marrëdhëniet me Greqinë, me pasojë bllokimin e shumë projekteve, investimeve, rolit tonë, etj, gjë që i dha dhe mundësi Serbisë të trajtohet tashmë si Faktori Kryesor i Stabilitetit në Rajon.

“Për këto arsye edhe ky takim hermetik, pa asnjë konsultim me Komisionin e Jashtëm nga Z.Bushati, me transmeton imazhin e “Shtëpisë së Fantazmave”, përfundon Shehu. /b.l/noa.al/