Transmetuar më 19-01-2018, 17:07

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas disa parullave antishqiptare në qytetin e alfabetit shqip, Manastir.

Përmes një deklarate MEPJ dënon gjuhën e urrejtjes në adresë të shqiptarëve dhe kërkon që autorët të vendosen para drejtësisë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e saj dhe dënon gjuhën e urrejtjes së përdorur në mbishkrime në hapësira publike në Manastir, në adresë të shqiptarëve. 

Nuk është hera e parë që Manastiri, qyteti i kongresit historik të gjuhës shqipe dhunohet qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. 

MEPJ u kërkon autoriteteve të Maqedonisë të hetojnë dhe të vënë para përgjegjësisë autorët e këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin”, thuhet në reagimin e MEPJ.

Qyteti i Maqedonisë i njohur edhe si Bitola, është zgjuar sot me fyerje raciste dhe antishqiptare. Sipas mediave maqedonase, në rrjetet sociale po qarkullon një foto ku shihet se në këtë qytet janë shkruar fjalë ofenduese dhe kërcënuese për shqiptarët. 

Në parullat e shkruara në mur ka përmbajtje të urrejtjes nacionale dhe raciste. Në qytetin e alfabetit shqip një nga parullat e shkruara është "vdekja e shqiptarëve"./b.l/noa.al/