Transmetuar më 19-01-2018, 14:58

Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të Bashkim Finos se opozita po bën presion në Gjykatë për regjistrimin e 12 shoqatave që do të votojnë në zgjedhjet e 7 shkurtit për kreun e FSHF-së.

“Partia Demokratike përgënjeshtron si të pavërtetë deklaratën e kandidatit të PS për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkim Fino. Është shpifje ajo çfarë Bashkim Fino e tregon si shqetësim, se kreu i opozitës ka ndërhyrë në Gjykatën e Tiranës për të ndikuar në mënyrë të paligjshme procesin e zgjedhjeve në Federatë.

Në vend të kësaj shpifjeje, Bashkim Fino duhet të shqetësohej se gjykatat janë nën presionin e vazhdueshëm të bosit të tij, Edi Rama dhe po lirojnë nga burgu dhe nga fajësia kriminelët, më të cilët Rama ndan pushtetin, Lul Berishën, Emiljano Shullazin, trafikantët e kokainës së “Xibrakës”, Armando Prengën, Mark Frrokun”, thuhet në deklaratë.

Më tej Partia Demokratike në një deklaratë nga selia blu, akuzon Finon si vegël të Edi Ramës që kërkon të kthejë FSHF-në në një lavatriçe të parave të pista të Olsi Ramës.

“Ai është pjesë e një farse politike, që ka për qëllim të kthejë Federatën Shqiptare të Futbollit në lavatriçe të pastrimit të parave të pista të Edi dhe Olsi Ramës, si dhe kriminelëve më të cilët mbajnë pushtetin.

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk ka asnjë mjet për të ndikuar përveç sheshit! Më 27 Janar Lulzim Basha do të jetë në shesh së bashku me mijëra demokratë e socialistë të ndershëm! Për këtë shqetësohu Bashkim”, përfundon deklaratën e saj PD.

Më herët kandidati për kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino në një reagim për mediat ka ngritur shqetësimin e tij se po regjistrohen shumë shoqata ilegale brenda Federatës.

Fino i cili do të garojë për ballë Armando Dukës, theksoi se partitë dhe gjykatat duhet të jenë sa më të pavarur, ndërsa bëri thirrje që të qëndrohet larg përfshirjes në abuzimet ilegale të FSHF./b.l/noa.al/