Transmetuar më 19-01-2018, 11:10

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores ka hequr nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, i cili ka të bëj me cilësimin për arrestimin e një deputeti.

Ishte deputeti demokrat Eduard Halimi, i cili në mbledhjen e paradites së sotme citoi nenin 27 të rregullores, duke thënë se nuk mund të futet në punën e komisioneve pa u futur në kalendar.

“Neni parashikon që duhet të futet në kalendar, pastaj të futet në punën e komisioneve. Pse po nxitoni, pse doni ta bëni me urgjencë?! Unë them ta bëjmë kur ti vijë radha. Pra ju si kryetar i Kuvendit nuk e fusni dot në kalendarin e Konferencës së Kryetarëve”, u shpreh ai.

Nga ana e tij kryeparlamentari Gramoz Ruçi deklaroi se njohje do të thotë se prezantohet nisma sipas programit të Kuvendit dhe së dyti të përcaktohen relatorët.

“Atëherë kaq është që është futur, dhe termi është njohje. Ka vetëm një hall, kemi dy vjet që kemi bërë ndryshimet kushtetutese, kemi një vit që kemi miratuar paketën e reformës në drejtësi dhe nuk kemi bërë ndryshimet në rregullore. Jam dakord të hiqet nga rendi i ditës, të plotësohen dy javë, nuk ka asnjë nxitim, përderisa kemi pritur dy vjet presim dhe dy javë”, deklaroi ai. /a.y/noa.al