Transmetuar më 18-01-2018, 14:12

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi sot se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit janë masë për të mbrojtur ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Vasili në një deklaratë për median u shpreh se: "Nuk mbështesim ndryshimet e rregullores, është farsë e shëmtuar. Duhet ti dalin për zot ata që e iniciuan në kushtet e një parlamenti që funksionin si parlament partiak me dy kryetarë socialistë një dejure e një defakto".

Më tej Vasili shtoi se këto ndryshime rregulloreje janë vetëm për marrjen mbrojtëse nga PS në vijim të logjikës për çështjen e ish- ministrit Tahiri, ku PS u bë bllok për të ndaluar hetimin e prokurorisë dhe ndalimin e arrestimit të tij.

"Sot PS kërkon të ndërtojë një mburojë për çdo çështje korruptive që vjen në parlament për pushtetarët e saj, në mënyrë që drejtësia të mos funksionojë mbi ta. Trumbetimi i disa viteve me radhë, duke filluar nga kryeministri e te ministrat e tjerë, shqiptarët e kanë të qartë se kush ka frikë.

Ata kanë frikë për aferat e tyre korruptive. Le ti hapet rruga drejtësisë të hetojë deri në fund për trafiqet kriminale. Nuk mund të ketë pengesë hetimi. E kundërta ndodh për ata që tremben. Shumë e qartë se kush ka frikë dhe kush përpiqet ta ndalojë drejtësinë. Këta po përdorin Kuhstetutën e tyre, që të kapin institucuionet e drejtësisë”, u shpreh Vasili.

Grupi parlamentar socialist i ka paraqitur kryetarit socialist të Parlamentit, Gramoz Ruçi, disa propozime për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Ajo që bie në sy janë ndryshimet në rastin e një kërkesë të Prokurorisë për arrestimin e një deputeti. Sipas rregullores aktuale, sot Prokuroria mjafton të dërgojë në Kuvend një kërkesë dhe dokumentet shoqëruese.

Propozimet e socialistëve fusin shprehimisht termin prova. Pra, Prokuroria duhet ta dorëzojë relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me prova.

Ky debat i provave doli gjatë kërkesës për arrestimin e Saimir Tahirit. Socialistët kërkuan që Prokuroria t’i provonte Kuvendit fajësinë, kurse demokratët thanë se Kuvendi nuk është gjykatë ndaj mjaftonte dyshimi i arsyeshëm për të lejuar arrestimin e deputetit. /b.l/noa.al/