Transmetuar më 18-01-2018, 12:03

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se Edi Rama ka propozuar një ligj të veçantë për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit për të mbrojtur peshqit e mëdhenj.

“Kush priste arrestimin e peshqve të mëdhenj tashmë duhet të kënaqet me cironka. Propozimi parashikon që gjykata të jetë Kuvendi. Nëse politikanët e dyshuar janë të lidhur me krimin, do të jetë mazhoranca ajo që do të vendosë. Rama po kthen në ligj modelin që mbrojti Saimir Tahirin”, deklaroi Lulzim Basha mesditën e sotme.

Duke folur nga selia blu, ai shtoi se të gjithë e panë se si Edi Rama e ktheu Kuvendin në gjykatë për të mbrojtur Saimir Tahirin.

Po ashtu nënvizoi se Rama po zhbën shtyllën kryesore të reformës në drejtësi, në mënyrë që prokurorë e gjyqtarë të vendosin para ligjit politikanët e lidhur me krimin dhe bandat.

Sipas tij, Rama po zhbën reformën në drejtësi në mënyrë që asnjë ministër apo deputet i korruptuar apo i zhytur në krim të mos dalë para drejtësisë ku Kuvendi kthehet në gjyqtar dhe Edi Rama në gjykatës.

Basha deklaroi se Partia Demokratike do e kundërshtojë fuqishëm këtë akt që ka vetëm një synim, zhbërjen e reformës në drejtësi dhe që asnjë peshk i madh të mos dalë para drejtësisë.

“Këto janë hapa të një njeriu dhe një grupi njerëzish në panik të thellë, që janë të frikësuar nga reforma në drejtësi. Ne do e kundërshtojmë, vota kundër është ajo që ka opozita në dorë, të tjerat i kanë qytetarët të cilët i ftoj të bashkohen në protestën e 27 janarit”, tha Basha në fund të fjalës së tij. /a.y/noa.al