Transmetuar më 16-01-2018, 13:14

Katër ditë pas atentatit ndaj shtetasit Lulzim Kulla në Shkodër grupi hetimor është përqendruar për të identifikuar se cili është personi, i cili ka lënë afër mjetit tip “Fouristradë” Lulzim Kullës motoçikletën me sasinë e tritolit që më pas shpërtheu.

Kamerat e sigurisë janë e vetmja provë, të cilat janë dërguar tashmë në Tiranë, sepse në policinë e Shkodrës ka qenë e pamundur për t’i hapur për shkak të disa kodeve që kërkojnë njohuri të larta në fushën e teknologjisë së informacionit.

Ende nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me atentatin ndaj 42-vjeçarit Lulzim Kulla, ku përveç tij mbetën të plagosur dhe 7 persona të tjerë.

Rreth 90 minuta përpara se të ndodhte shpërthimi, dyshohet se një person ka vendosur aty motoçikletën dhe më pas është larguar me shpejtësi. Sipas dyshimeve personi në fjalë ka pasur në kokë një skafandër dhe nuk e ka hequr për asnjë moment deri sa është larguar.

Në këtë mënyrë askush nuk e ka parë në fytyrë duke e bërë të vështirë identifikimin e tij. Sipas burimeve Lulzim Kulla tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe ka nisur që të flasë duke komunikuar me familjarët dhe mjekët e spitalit të Traumës në Tiranë ku ndodhet i shtruar për mjekim.

Kulla në momentin e parë ka deklaruar për efektivët se "nuk e di se kush janë autorët dhe se kush mund ta ketë vendosur tritolin". Ai nuk ka preferuar të flasë më shumë për shkak edhe të gjendjes së tij shëndetësore, pasi ka 25% djegie të trupit.

Kështu e vetmja shpresë për identifikimin e autorit, nëse mund të quhet kështu, për policinë e Shkodrës janë kamerat e sigurisë, nëse arrihet që të hapen.

Nga ana tjetër, një grup i përbërë nga ekspertët më të mirë që ka policia e Shkodrës dhe prokuroria po punojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes, por deri më tani është e vështirë që të arrihet në konkluzione. 20 persona të shoqëruar në policinë e Shkodrës më shumë kanë qenë dëshmitarë që kanë qëlluar rastësisht aty sesa persona që kanë lidhje me ngjarjen./b.l/noa.al/