Transmetuar më 16-01-2018, 13:05

Kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë në mbjelljen e 150 pemëve dekorative te lagjja e Selvive në Tiranë, në Njësinë nr. 8”.

Në fjalën e rastit ai tha se janë 150 selvi që sot “qëndisin” lagjen e Selvisë, por që përveç emrit nuk kishte asnjë shenjë të selvive.

“Tani është detyra e banorëve të lagjes, që t’i mbrojnë e të kujdesen për to. Jam shumë i lumtur që nisma për këtë revolucion të gjelbër në Tiranë ka shkuar nga zonat kryesisht pyjore, parqe, nga Unaza dhe Pylli Orbital, deri nëpër lagje. Ky është një lajm fantastik, se po “qëndisim” me gjelbërim të gjitha lagjet e rrugicat e Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se fakti që bizneset marrin kohë nga koha e tyre dhe shpenzojnë të ardhura për mbjelljen e pemëve të reja, do të thotë se Tirana ka nevojë për këtë investim. “Për një biznes, as koha e as paratë nuk janë të tepërta. Fakti se bizneset harxhojnë nga koha dhe paratë e tyre për të bërë këtë investim, do të thotë se kjo është vërtet diçka e rëndësishme. Në këtë qytet dy zgjidhje janë shumë të qarta: Ne ose do mbjellim sherr me njëri-tjetrin, ose do mbjellim pemë. Kur shoqëria është e ndarë në ata që bëjnë vetëm gam-gam dhe japin mend për gjithçka dhe në një grup që është shumica, e cila sheh një problem dhe e zgjidh, sheh një mundësi dhe kontribuon, atëherë besoj se do kemi një shoqëri më të mirë”, u shpreh ai.

Veliaj bëri me dije se për çdo datë të shënuar, në të gjithë kryeqytetin do të organizohen aksione për mbjelljen e fidanëve të rinj, të cilët do të shtojnë sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet.

“Do të vijojmë gjatë gjithë kësaj jave, edhe për kremtimin e Vitit të Skënderbeut. Kemi trashëgim që nga koha e Skënderbeut, rreth 550 vite më parë, mbjelljen e ullinjve për çdo sebep e martesë, për çdo çift të ri në shenjë të harmonisë e paqes. Do vazhdojmë në 14 shkurt për të mbjellë një pemë, në emër të dashurisë të atyre që janë bashkë në Tiranë. Pastaj, në datat 7-8 mars, për Ditën e Mësuesit dhe të Nënës, si një mënyrë për t’u kujtuar atyre me një pemë, një kontribut në qytetin tonë”, nënvizoi Veliaj.

Ai deklaroi se do të përfundohet më 21 mars, me Ditën ndërkombëtare të Pyjeve, “ku do thyejmë rekordin tonë të 100 mijë pemëve në të gjithë Tiranën”. /a.y/noa.al