Transmetuar më 16-01-2018, 11:05

Anija “Butrinti” dhe kontingjenti i 7-të i Forcës Detare shqiptare u nisën për operacionin e NATO-s në detin Egje “Sea Guardian”. “Butrinti” zëvendëson në këtë mision anijen “Oriku”, e cila shërbeu për rreth 1 vit në detin Egje, duke marrë pjesë në shumë operacione shpëtimi.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Flotiljen Detare të Pashalimanit, morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ambasadorja e Francës Christina Vasak, komandantët e forcave, dhe familjarë të detarëve që u nisën në mision.

Ministrja Xhaçka vlerësoi punën dhe përkushtimin e ushtarakëve shqiptarë, jo vetëm në misionet ndërkombëtare, por edhe gjatë emergjencave civile.” Jeni një shembull shumë i mirë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë. 

Si ju detarët, ashtu dhe kolegët tuaj të forcave të tjera, me vetëmohim jeni angazhuar në të gjitha situatat e vështira të ardhura edhe nga natyra. E në kushte ekstreme, keni vënë jetët tuaja në rrezik për të shpëtuar atë të të tjerëve. Edhe kur i takon të tjerëve të përfshihen, jeni prapë ju që shkoni të parët në përballimin e çdo vështirësie”, u shpreh ministrja.

Më tej, Xhaçka çmoi rolin dhe kontributin e kontingjenteve paraardhëse në detin Egje, si dhe përmendi armatimin e ri dhe modern që është instaluar në anije. “Anija jonë “Butrinti” jam e sigurt që do ta çojë më përpara emrin e mirë që Forcat tona të Armatosura kanë vendosur në çdo mision të Aleancës. 

Kjo anije e mirëpajisur me fjalën e fundit të teknologjisë mbrojtëse, jep mundësinë e rritjes së gamës së operacioneve në të cilat mund të marrë pjesë. Keni punuar fort gjatë këtij muaji që “Butrinti” të bëhej gati sa më shpejt dhe për këtë ju përgëzoj. Jam e bindur se do të vazhdoni të na nderoni, ashtu si kolegët tuaj në Afganistan, Kosovë e Letoni”, theksoi Xhaçka./b.l/noa.al/