Transmetuar më 15-01-2018, 16:28

Pasi vendosi se do të kandidonte në zgjedhjet e FSHF-së për postin e Presidentit, Bashkim Fino jep dorëheqjet nga funksionet partiake. 

Lajmin e ka bërë me dije vetë Fino, përmes një postimi në rrjetet sociale ku thotë se këtë vendin e ka marrë në respekt të një gare të drejtë dhe të mos ketë paragjykime.

“Pavarësisht se nuk jam i detyruar ligjërisht, sapo i paraqita dorëheqjen Kryetarit të Partisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm nga funksioni i sekretarit organizativ dhe administrativ të Partisë Socialiste. 

Ky akt, vjen për të evituar çdo paragjykim, për një garë të drejtë dhe të ndershme, në kuadër të kandidimit tim për postin e presidentit të FSHF”, shkruan Fino.

Ku post i cili aspirohet nga Fino do të ketë përballë tij si kandidatë drejtuesin aktual të FSHF-së, Armand Duka.

Gjatë një aktiviteti disa ditë më parë, Duka ka komentuar kandidaturën e Finos. “E falenderoj Finon që është kandidat, ka dëshirë të kontribuojë për futbollin. Do kemi kohë të diskutojmë hapur për futbollin. Nuk duhet marrë si një debat, pasi e rëndësishme është që futbolli të ecë përpara”, u shpreh ai./b.l/noa.al/