Transmetuar më 15-01-2018, 09:26

“Jo, nuk jam racist. Jam njeriu më pak racist që keni intervistuar ndonjëherë, ju siguroj”.

Është kjo deklarata e Presidentit amerikan Donald Trump, duke iu përgjigjur gazetarëve këtë të diel në Trump International Golf Course në Palm Beach, të Florida, teksa i kërkuan të komentonte akuzat ndaj tij, lidhur me deklaratën për emigrantët.

Trump mohoi që të ketë përdorur fjalë fyese ndaj emigrantëve nga Haiti dhe vendet afrikane.

“E patë se çfarë thanë disa senatorë gjatë atij takimi?”, pyeti Trump gazetarët, duke iu referuar dy senatorëve që në dallim nga të tjerët deklaruan se nuk e dëgjuan Trump të përdorte shprehje raciste.

Në një takim të mbajtur në Studion Ovale me disa anëtarë të Kongresit pak ditë më parë, ai foli për temën e emigrantëve, dhe kur u pyet nëse do të hiqte statusin e mbrojtjes ndaj mijëra emigrantëve nga Haiti, El Salvador dhe disa vendeve afrikane dha një përgjigje të papritur.

“Për cilën arsye, SHBA-të duhet të mbajnë gjithë këta njerëz që vijnë nga këto vende plehra? Do ishte shumë më mirë që të kishte më shumë njerëz nga vende si Norvegjia për shembull”, deklaroi ai. /a.y/noa.al