Transmetuar më 12-01-2018, 12:01

Nëse kaloni nga sheshi “Skënderbej” dhe vëreni disa stola shumëngjyrësh, të vendosur në mënyrë të çrregullt, dijeni se janë një copëz Vjenë në Tiranë. 

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi donatorët për këtë dhuratë që i bënë Tiranës dhe theksoi se stolat e rinj do të tërheqin më shumë njerëz në shesh. 

“Kjo dhuratë i jep më shumë shpirt sheshit. Sheshet janë objekte infrastrukture, urbanistike, por nëse nuk kanë shpirt, njerëz dhe jetë, bëhen të padobishëm për qytetin. Sapo është larguar fshati i festave, për t’ia lënë vendin një mobilimi të ri, më pranveror, për njerëzit që do kalojnë më shumë kohë në gjelbërim, ku do të ketë shfaqje opera në natyrë apo me hapjen e Muzeut, në prag të përgatitjeve për shumë aktivitete për vitin jubilar të Skënderbeut”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se stolat e rinj i japin sheshit “Skënderbej” më shumë mundësi për çlodhje dhe argëtim, sidomos për fëmijët. Ai tha se ky kontribut vjen si vijim i disa bashkëpunimeve që Bashkia e Tiranës ka me Bashkinë e Vjenës. 

“U jam shumë mirënjohës dhe besoj se kontributi i një qyteti nuk është monopol i bashkisë. Nëse vjet u fokusuam në Vjenë, sivjet do të jetë Vjena në Tiranë, me një kalendar fantastik si për Operan dhe Baletin, ashtu edhe të hapura për publikun në të gjithë Tiranën”, tha Veliaj.

Në sheshin “Skënderbej” janë vendosur 41 stola vjenezë, të cilët përveç funksionit parësor si stola, janë përdorur nga Bashkia e Tiranës për të t’i dhënë akoma më shumë ngjyra sheshit kryesor të qytetit. /b.l/noa.al/