Transmetuar më 11-01-2018, 17:41

Nga Dritan Kaba/ 13 milion eurot e kapriços Rama, do ikin nga shkollat, spitalet, ndihma sociale, investimet publike, nga djersa e gjaku i familjeve shqiptare. Në fakt ato duhet t'i paguajë ai që bëri dëmin.

Le të hapë ekspozitat sërish ose t'ja marrë biznesmenëve të tij koncensionare, për të shlyer këtë borxh, por shqiptarët nuk duhet të shpenzojnë asnjë cent. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë për idiotesitë e Liderit Global, as për çmenduritë e tij.

Mjaft kanë paguar për to. Mjaft po paguajnë neglizhencën e kësaj qeverie. Mjaft paguajnë familjet shqiptare rritjen e çmimeve dhe taksave. Mjaft paguajnë të rinjtë shqiptarë nga eksperimentet në shkolla, nga paaftësia ulëritëse e këtyre qeveritarëve të paaftë. Mjaft paguajnë shqiptarët me ikjen nga sytë këmbët, për shkak të mungesës së shpresës.

Mjaft paguajnë të rinjtë që i janë prerë ëndrrat për një punë të ndershme e të mirëpaguar. Mjaft paguajnë burgjeve të Evropës apo kampeve të azilantëve. Mjaft paguajnë prindërit me frikën e përditshme për fëmijët e tyre, nga që oborret e shkollave janë kthyer në shitore gjigande të drogës.

Mjaft! Kjo faturë është vetëm filllimi i idiotësisë Rama, që duhet të paguajnë familjet shqiptare. Kjo faturë është vetëm fillimi i papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie.

Së shpejti një tjetër faturë e rendit 2 miliardë euro pritet të vijë për të rrëmbyer taksat e shqiptarëve. Dhe kjo faturë sërish për kapriçot idioteske të Kryeministrit.

Prokurorja e Përkohshme duhet të hapë hetimin për këtë dëm që i është shkaktuar financave të shtetit. A e bën dot?! Unë besoj që jo. Le të zhgënjehem nëse e bën. Kjo faturë ka një emër. Kjo faturë ka një përgjegjës. Kjo faturë ka një delir.  Kjo faturë e ka emrin Edi Rama!