Transmetuar më 10-01-2018, 21:46
Publicitet

Në pëfundim të vitit 2017, ëndrra e Shtetit Islamik për të pasur një kalifat në Irak dhe në Siri është fundosur. Fushata tokësore e trupave të qeverisë irakiane dhe e forcave të mbështetura nga koalicioni në Siri, e kombinuar me forcat ajrore të Perëndimit, e detyroi grupin terrorist të tërhiqej.

Megjithatë, edhe pse zyrtarë irakianë, sirianë dhe iranianë deklarojnë fitore ndaj grupit terrorist, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre paralajmërojnë se fundi i luftës është ende larg. Në vazhdim, i hedhim një vështrim disa momenteve nga viti 2017:

Grupi terrorist Shteti Islamik e filloi vitin 2017 me një sulm të përgjakshëm, duke dërguar një atentator në një klub nate të Stambollit, që vrau 39 persona në ditën e parë të vitit, 1 janar.

"Njerëz të kapur në panik, pellgje gjaku, zhurma e të shtënave me armë, shpërthime. Këto më vijnë vazhdimisht ndër mend.”- tregon një dëshmitar.

Por tronditja e shkaktuar nga sulmi terrorist vdekjeprurës, në fakt nuk ishte tregues i realitetit në Irak, ku Shteti Islamik, po ia mbathte, pasi forcat e sigurisë kishin hyrë në Mosul, kryeqyteti irakian i kalifatit të deklaruar të grupit.

“Armiku u shkatërrua, duke lënë prapa armët dhe pajisjet dhe duke ikur me nxitim, pasi ne u shkaktuam humbje të mëdha.”- thotë ky kolonel irakian.

Shteti Islamik u përball me reagime të ashpra edhe në vende të tjera të botës myslimane: tunizianët për shembull, dolën nëpër rrugë për të protestuar kthimin e luftëtarëve.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti i ri amerikan e paralajmëroi Shtetin Islamik dhe grupe të tjera terroriste, se ishin pranë asgjësimit.

“Ne nuk i kemi përdorur aftësitë e vërteta që kemi. Jemi treguar të përmbajtur. Duhet ta heqim qafe ISIS-in, nuk kemi zgjedhje tjetër.”- tha Presidenti Trump.

Si pjesë e një përpjekjeje të përshkallëzuar, Shtetet e Bashkuara u përpoqën për herë të parë, të fuqizonin forcat kundër ISIS-it, duke armatosur me automjete të blinduara Forcat Demokratike Siriane, SDF… në ofensivën e tyre për ta dëbuar grupin terrorist nga Raka, kryeqyteti i tyre sirian.

Gjatë një vizite në Bagdad, sekretari amerikan i mbrojtjes Jim Mattis, tha:

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah ushtrisë irakiane dhe popullit irakian, që është duke luftuar kundër këtij armiku.”

Ndërsa Shteti Islamik u përball me më tepër presion në Irak dhe Siri, ndikimi i tij po ndihej edhe në vende të tjera: në shkurt, një simpatizant i ISISI-t sulmoi me sëpatë rojet e ndërtesës së Luvrit në Paris…

…grupi terrorist po ashtu mori përgjegjësinë për një sulm të Dielën e Dafinave në Aleksandri të Egjiptit, ku u vranë dhjetra vetë.

ISIS-i po ashtu tregoi forcën në Pakistan dhe në Afganistan, duke marrë përgjegjësinë për një sulm në muajin mars në një spital të Kabulit, ku u vranë më tepër se 30 vetë.

Shtetet e Bashkuara u përgjigjën, duke hedhur bombën më të madhe që dispononin mbi një kompleks të rëndësishëm të Shtetit Islamik në Afganistan, në provincën e Nagaharit.

"Dua të shprehem qartë, ne nuk kemi për të hequr dorë nga misioni ynë për të luftuar krahas me afganët për ta shkatërruar ISIS-n në vitin 2017."- tha komandanti i NATO-s në Afganistan.

Në korrik, Shteti Islamik po humbiste kontrollin e kalifatit të vetë-deklaruar: pas disa muaj luftimesh Mosuli u çlirua.

"Prej këtu, e njoftoj botën për fundin, dështimin dhe shkatërrimin e mitit të grupit terrorist Daesh", - tha kryeministri irakian….

tre muaj më vonë…ndërsa në Raka festohej dhe luftëtarët e ISIS-it largoheshin nga kalifati i vetëdeklaruar në Siri.

Në tetor në Filipine pati një tjetër dështim për ISIS-in, një betejë 5-mujore për të marrë kontrollin e qytetit jugor Maravi, përfundoi me mposhtjen e grupit.

Tani edhe pse Shteti Islamik ka humbur territore dhe luftëtarë, shtrirja e globale u ndje deri në Stockholm, Paris, Barcelonë dhe Nju Jork…

“ISIS po tregon qartë se ka aftësi për ta vazhduar luftën në shkallë botërore dhe fushatën e sulmeve në Perëndim. Shohim një shtim të aktivitetit të ISIS-it në Afrikën Veriore, në Afganistan dhe në zona të tjera, si Azia juglindore,”- thotë ekspertja e luftës Carafella.

Grupi terrorist duket se po e mban parasysh këshillën e udhëheqësit të vet, Abu Bakr al Baghdadi, në një regjistrim audio në shtator…

“Rruga drejt fitores”, tha ai, "arrihet përmes durimit dhe qëndresës”. /VOA/