Transmetuar më 10-01-2018, 12:16

Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëhen pjesë e platformës online "Shqipëria që duam". Këtë thirrje Rama e bëri gjatë një interpelance me një grup mësuesish, prindërish e nxënësish që kanë iniciuar përmes platformës online, nismën për lehtësimin e ngarkesës mësimore në shkollat shqiptare.

Grupi propozon reformimin e kurrikulës së sitemit parauniversitar. Nisma “3 lëndë në 6 orë” sjell për 450 mijë nxënës përgjysmim të lëndëve që duhet të përgatisin çdo ditë, si dhe dyfishim të kohës për të kuptuar më mirë mësimin.

Ndërsa për 30 mijë mësuesit mundëson përgjysmim të ngarkesës përgatitore për orët mësimore dhe mundësi të përdorimit të formave të reja mësimdhënëse.

“Kushdo që ka një çështje për të adresuar për mosplotësimin e një të drejte ligjore në raport me zyrat e shtetit, në lidhje me situata që kanë të bëjnë me tentativa për korrupsion, apo zvarritje për të marrë atë që i takon, duhet t'i referohet kësaj platforme.

Ndërkohë, nismat janë disa, por është përzgjedhur kjo nismë për këtë proces. Së bashku duhet të gjejmë rrugë të reja, për të përmirësuar reformat tona dhe procesin e qeverisjes.

Qytetari komunikon drejtpërdrejt me ne dhe merr mbështetjen për të garantuar nismën e vet. Shpresoj që duke na ndjekur  e parë këtë shembull konkret të një nisme qytetare që i shërben këtij procesi, të tjerë do të inkurajohen që të na drejtohen”, tha Rama. /b.l/noa.al/