Një dramë mund të quhet sot jeta e ish-futbollistit të Arsenalit, Emmanuel Eboue, i cili nga milioner ka përfunduar pa asnjë kacidhe.
Ish-mbrojtësi i Arsenalit, ka bërë një rrëfim për mediat britanike duke treguar se ka dashur të vrasë veten dhe arsyet se përse ka mbetur pa para.
Ish-mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë dikur fitonte miliona në “Premier League” ndërsa sot ka arritur deri aty sa edhe rrobat e tij i lan me dorë.
“Çdo ditë i laj vetë rrobat e mia, xhinset, gjithçka. I kam duart e ashpra. Ndonjëherë i fik dritat, pasi nuk dua që njerëzit ta mësojnë se jam brenda”, rrëfehet ai.
Gjatë intervistës, Eboue ka treguar se humbi një betejë divorci me të shoqen, Aurelie, e cila i mori të gjithë pasurinë.
“Paratë që fitoja, i dërgoja tek gruaja ime për fëmijët. Në Turqi kur luaja me Gallatasaraj, fitova 8 milionë euro. Në shtëpi dërgova 7 milionë, çfarëdo që më thoshte ajo të nënshkruaja, unë e nënshkruaja,”-ka treguar Eboue.
Futbollisti tregon se sot nuk ka as kontakt me dy vajzat, Clara, 14 vjeç dhe Maeva, 12 vjeç.
Pasi dëgjoi rrëfimin e 34-vjeçarit, ish-tekniku që e ka stërvitur tek Gallatasari, i ka ofruar ndihmë Eboues.
Sipas “CNN” turk Terim i ka kërkuar Gallatasaray-it ta ndihmonte për ta rehabilituar ish-futbollistin dhe klubi i është përgjigjur menjëherë pozitivisht duke i ofruar një rol trajneri te ekipi U-14.
“Kemi dëgjuar për çështjen e tij në dhomën e zhveshjes, aty më informuan, do të bëjmë çmos të ndihmojmë mikun tonë,” shprehet Terim për CNN.
“Do të doja shumë të rikthehesha te Galatasarai, dhe Fatih Terim është si një baba, e dua shumë, do të bëja çdo gjë për të pasi e dua shumë,” është përgjigjur 34-vjeçari Eboue./a.k/noa.al/