Transmetuar më 15-12-2017, 09:52

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u paraqit sot rreth orës 09:30 minuta në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’iu komunikuar masa shtrënguese që ka marrë ndaj tij gjykata, për bllokimin e pasaportës dhe moslejimin e tij të largohet nga Shqipëria.

Tahiri shoqërohej nga avokati i tij, Maksim Haxhia. Seanca do të mbahet nga gjyqtarja Liljana Baku, e cila është edhe gjyqtarja që ka shqyrtuar masën e sigurisë. 

Kërkesa për thirrjen e Tahirit është bërë në bazë të nenit 248 të kodit të procedurës penale, ku gjykata brenda pesë ditësh thërret personin ndaj të cilit është dhenë masa  për t’ia komunikuar. 

Ish- ministri Tahiri do të duhet të përgjigjet për të gjitha çështjet që kanë dalë nga përgjimet e Habilajve dhe të dhënat e tjera të siguruara nga Prokuroria.

Në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i bllokoi pasaportën Saimir Tahirit, pjesë e argumenteve janë edhe disa përgjime të reja, që janë paraqitur si provë nga Prokuroria.

Tahiri do të pyetet edhe për njohjet me Orest Sotën dhe lëvizjet me automjetin Audi, nëse i ka njohur Habilajt kur i ka takuar, apo akuzat se Tahiri ka përfituar dhurata nga Habilajt./b.l/noa.al/