Transmetuar më 13-12-2017, 16:38

Në vijim të seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, ka mbajtur fjalën e saj kandidatja për kryeprokurore të përkohshme Arta Marku.

Ajo ka thënë se nuk është ndikuar nga asnjë ndërhyrje në vendimmarrjen e saj.

Po ashtu deklaroi se “Çështjet që kam trajtuar unë kanë të bëjnë me trafikun e armëve, lëndëve plasëse dhe rrëmbim personi. Puna ime është vlerësuar edhe nga OPDAT. Në vendimmarrje nuk jam ndikuar nga asnjë ndërhyrje. Nuk i detyrohem askujt për asgjë sepse për çdo gjë ia kam dalë vetë. Nuk kam qenë asnjëherë subjekt i ndonjë hetimi”.

Marku tha se Prokuroria ndodhet në kaos dhe se emërimet dhe shkarkimet nuk kanë lidhje me meritën e tyre.

Sipas saj, ka shpërndarje të pabarabartë  të ngarkesës në punë. Më herët para saj në komision doli kandidati Arqile Koça.

Komisioni i Ligjeve ka nisur pasditen e sotme seancën dëgjimore me shtatë kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës, në mungesë të opozitës, e cila ka bojkotuar punimet e mbledhjes së sotme.

Përveç PD, as LSI nuk është bërë pjesë e mbledhjes. Kandidatët në garë për postin e kreut të akuzës, janë Ferdinand Elezi, Arta Marku, Arqile Koça, Besnik Muçi, Granit Shehu, Ermira Tafani dhe Artur Sulemani janë në garë për të pasuar Adriatik Llallën në detyrë.

Të gjithë kandidatët do të zhvillojnë një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe më pas, të shtatë emrat do të shkojnë në seancë plenare për t’u votuar. /a.y/noa.al