Transmetuar më 13-12-2017, 14:33

Pas Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka dalë kundër qeverisë sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri me shumicë të thjeshtë.

Përmes një deklarate për mediat, PDIU sqron qëndrimin e saj në këtë çështje duke theksuar se nuk mund të bëhet kurrë palë e shkeljes së Kushtetutës.

Sipas deklaratës për mediat të PDIU, Kryeprokurori i Përkohshëm i cili mund të zjidhet sipas interpretimeve të maxhorancës edhe me 36 vota, nuk ka asnjë referencë në ndryshimin që kemi bërë bashkërisht në nenin themeltar të shtetit në Kushtetutë.

Për këtë arsye, PDIU nënvizon se nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim ku shkelet Kushtetuta e vendit.

Deklaratë për mediat Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet qysh në fillim ka dhënë mbështetje pa kushte për Reformën në Drejtësi duke besuar dhe shpresuar, se do të ishte një fillim i ri për rivendosjen e shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve.

Pas kaq muajsh vërejmë zvarritje pa asnjë shkak të reformës dhe akoma më keq, sot po tentohen të zëvëndësohen organet e rëndësishme që kemi miratuar me Kushtetutë, me arrogancë dhe vullnet të njëanshëm nëpërmjet miratimit me vota minimale me një kuorum qesharak prej 36 votash të postit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Theksojme se Prokurori i Përkohshëm i cili mund të zjidhet sipas interpretimeve të maxhorancës edhe me 36 vota, nuk ka asnjë referencë në ndryshimin që kemi bërë bashkërisht në nenin themeltar të shtetit në Kushtetutë. Ndaj sot përtej arrogancës personale do duhet të jemi të gjithë bashkë për të gjetur një zgjidhje.

Theksojmë se zgjidhja nuk janë marrëveshjet e pista të natës që e kanë çuar vendin në këtë klimë armiqësore e varfërie të skajshme, por ndryshimet ligjore që i celin rrugë një drejtësie të lirë dhe që nuk është peng i politikës. PDIU nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim ku shkelet Kushtetuta e vendit. (e.c/noa.al)