Transmetuar më 13-12-2017, 13:30

Maxhoranca duket e palëkundur për të vijuar me procesin për plotësimin e vakancës së krijuar në Prokurorinë e Përgjithshme.

Nga Kryesia e Kuvendit e Kuvendit, Ulsi Manja njoftoi se Komisioni i Ligjeve do të mbajë sot në orën 15:00 seancat dëgjimore me 7 kandidatët për prokuror të përgjithshëm të përkohshëm.

“Komisioni i Ligjeve në zbatim të detyrimeve ka thirrur sot në orën 15:00 në senacë dëgjimore kandidatët për prokuror të përgjithshëm të përkohshëm si pjesë e shqyrtimit të përmbushjes së kritereve kushtetuese dhe ligjore. I siguroj kandidatët për besueshmërinë dhe transparencën e procesit, ne si shumicë e kemi bërë të qartë se nuk ka rëndësi emri por procesi”, u shpreh Manja.

Më tej ai adresoi edhe një thirrje ndaj opozitës për tu bërë pjesë e procesit. “Ftoj edhe kolegët e opozitës të bëhen pjesë e këtij procesi për ti dhënë zgjidhje dhe jo zgjedhje vakancës së krijuar në Prokurorinë e Përgjithshme sepse zbatimi i ligjit për të zgjidhur ngërçe të tilla nuk është çështje e vullnetit politik por detyrim që buron nga Kushtetuta”, tha Manja.

Mesditën e sotme do të zhvillohet seanca e parë dëgjimore për zbardhjen e kryeprokurorit të ri. Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë sot në seancën dëgjimore te Komisioni i Ligjeve që do të zhvillohet në orën 15:00.

Që në fillim të këtij procesi PD e ka cilësuar si të jashtëligjshëm duke akuzuar kryeministrin Rama se kërkon që të mbyllë dosjet e korrupsionit me prokurorin e përkohshëm që do të caktojë.

Ditën e djeshme në orën 18:00 është mbyllur zyrtarisht nga Kuvendi procesi i aplikimit për kryeprokuror të ri. Në përfundim të këtij procesi kanë qenë shtatë prokurorë që kanë aplikuar për postin  Kryeprokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm./b.l/noa.al/