Transmetuar më 13-12-2017, 12:00

Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me deklaratën e bërë nga kryedemokrati Lulzim Basha, për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai thotë “A ka budalla që e beson se SHBA-BE duan prokuror të përkohshëm për të mbyllur dosje hetimore duke shkelur Kushtetutën! Hajde politikë hajde”.

Ky qëndrim i tij vjen pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një bashkëbisedim me gazetarët ka folur me Kushtetutë në dorë në lidhje me çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

“Nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 3/5 të votave me vetting. Këto nuk mund t’i shkelë askush. Sot nuk kemi krizë të zgjedhjes së kryeprokurorit, por kemi bllokim të qëllimshëm të reformës në drejtësi. Prandaj s’duhet të merrem me propozime pazaresh politike në kurriz të kushtetutës”, u shpreh Basha.

Më tej Basha është shprehur se mënyra se si po kërkohet të zgjidhet kryeprokurori është dhunimi i qëllimshëm i Kushtetutës së Shqipërisë. Sipas tij, qëllimisht reforma në drejtësi u blindua në kushtetutë për të mos lejuar emërimet politike.

Teksa i është kërkuar të bëjë një koment për deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu që tha dje se politikanët kanë frikë nga reforma në drejtësi dhe se ajo nuk ka vdekur, Basha tha se ti kërkosh Kuvendit të mos bëjë vettingun e kryeprokurorit kjo do të jetë një thikë në shpinë të reformës në drejtësi.

“S’kam komentuar asnjëherë ambasadorët e huaj, por s’mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik ti kërkojë Kuvendit të shkelë kushtetutën apo të kërkojë mos bëhet vetingu i kryeprokurorit. Kjo do të ishte një thikë në shpinë të reformës në drejtësi për të cilën kanë kontribuar të gjithë përfaqësuesit e trupit ndërkombëtar”, tha Basha. /a.y/noa.al