Transmetuar më 12-12-2017, 16:32

Shkon në gjashtë numri i kandidatëve në garë për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Pak para mbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e aplikimeve, Ermira Tafani ka dorëzuar dokumentacionin e saj duke u bërë kandidatja e gjashtë në garë.

Tafani është aktualisht prokurore në rrethin e Elbasanit.

Më herët ishte prokurori i Tiranës Granit Shehu, ai që dorëzoi aplikimin për pozicionin e kryeprokurorit.

Por pak minuta para tij ishte Besnik Muçi emri i katërt i cili ka aplikuar.

Muçi mban aktualisht postin e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Më herët mesditën e sotme, ka dorëzuar në Kuvend kandidaturën e tij, Arqile Koça. Ai rezulton prej vitesh punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

I pari që shpalli kandidaturën ishte Ferdinand Elezi, i cili është drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës.

Ndërkohë ditën e djeshme zyrtarizoi kandidaturën e saj, edhe Arta Marku, cila aktualisht është prokurore në rrethin e Shkodrës.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka bërë me dije se aplikimet vazhdojnë deri pasditen e sotme në orën 18:00.

Pas dorëzimit të kandidaturave, dhe mbylljes se afatit, faza pasuese është seanca dëgjimore me ta në Kuvend, dhe me tej votimi i thjeshtë në Parlament. /a.y/noa.al