Transmetuar më 12-12-2017, 12:22

Nisma e Bashkisë së Tiranës, “Luaj Tirana”, e cila po shtrihet në të gjithë kryeqytetin me krijimin e hapësirave argëtuese për fëmijë e të rritur, ka shtuar edhe një kënd të tretë force në hapësirën e Parkut të Liqenit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi si fantastike punën e bërë për ndërtimin e këndit të forcës dhe theksoi se për herë në Tiranë janë hapur më shumë hapësira sportive dhe argëtuese, se sa kafe e bingo.

“Më vjen mirë që, në fakt, jemi futur në një garë, ku për herë të parë në mbyllje të këtij viti, në Tiranë, janë hapur më shumë hapësira sportive, argëtuese dhe për fëmijë në natyrë, se sa janë hapur kafe e bingo. Besoj se ky është mesazhi që japim dhe kjo nuk bëhet me predikime, por bëhet kur qyteti të jep një alternativë”, tha Veliaj.

Ai falenderoi kompaninë ‘Telekom Albania’ që iu bashkua kësaj nisme, ndërsa nënvizoi se gjithnjë e më shumë qytetarët dhe kompanitë po kontribuojnë duke i dhënë një energji të re qytetit.

“Besoj se teksa pasurojmë hapësirën tek liqeni i Tiranës, teksa kemi nisur të gjelbërojmë me pyll të gjithë hapësirën tek liqeni i Farkës, teksa kemi filluar projektin tek liqeni i Kasharit, teksa po bëjmë Pyllin Orbital, duket që të gjithë aktorët zemërmirë e bujarë në qytet po bëhen bashkë për t’i dhënë energji qytetit”, shtoi Veliaj.

Veliaj deklaroi se dy vite më parë i gjithë ky transformim ishte i paimagjinueshëm, ndërsa siguroi se dy vitet e ardhshme do të jenë edhe më të mira për kryeqytetin.

“Sot, në fakt i vetmi sherr është kur do jetë gjëja tjetër dhe kur do bëjmë ndërhyrjen e radhës. Në këto dy vite kemi bërë shumë, por më e mira gjithmonë është përpara dhe mezi pres që dy vitet e tjera të jenë akoma më mirë për Tiranën”, tha ai.

Këndi i ri i forcës në zonën e Parkut të Liqenit ofron mundësinë e ushtrimit me mjete profesionale për frekuentuesit e parkut. Këndi ka 6 module force të veçanta, përfshi paralele e mjete të tjera stërvitje dhe rrethohet me një pistë vrapimi.

Ndërsa, moduli i ri i lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuar u mundësua nga bashkëpunimi me ROTARACK, të cilët që në Dhjetor 2016 organizuan fushatën për ngritje fondesh me qëllim përshtatshmërinë e këndeve të lojërave në Tiranë për PAK.

“Sot kemi instaluar për herë të parë një modul lojërash për fëmijët me aftësi të kufizuar. Do të donim shumë që të ishim solidarë me prindërit që rrisin këta fëmijë, për t’u siguruar që nuk e kanë vendin në një cep, por e kanë në mes, ku janë edhe gjithë fëmijët e tjerë. Unë besoj se jo vetëm ndihmojmë fëmijët me aftësi të kufizuar, por edhe fëmijët e tjerë kuptojnë që shoqëria ka nga të gjithë shtresat, ka njerëz që për një arsye shëndetësore apo për një aksident kanë një vështirësi”, tha kryebashkiaku j.

Ai kërkoi që ky shembull pozitiv të ndiqet edhe nga të tjerë duke treguar solidaritet për njerëzit që kanë nevojë. /a.y/noa.al