Transmetuar më 11-12-2017, 20:39

Fadil Ternova ishte personi ndaj të cilit u qëllua me armë zjarri në Peladhi të Bulqizës.

Ky person mësohet se është me precedent të mëparshëm penalë. Ai është ndaluar në 26 shtator të vitit 2015, i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale.

Ai u ndalua falë operacionit të koduar “Fortuna”, i akuzuar në atë kohë për “Vrasje me dashje e mbetur në tentative" dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ai akuzohet se më 9 dhjetor të vitit 2009, rreth orës 15.30, në vendin e quajtur “Pishat” përballë lokalit të shtetasit A. T., ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin V.Sh., i cili ka mbetur i plagosur rëndë.

Në vijim në 19 janar të vitit 2012, rreth orës 12.30, në kuadrin e operacionit të koduar “Pishat”, të organizuar nga ana e Sektorit Për Krimet e Rënda, për kapjen e tij, u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe nga kontrolli i ushtruar ju gjetën dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë, dhe një krehër me tetë copë fishek. Për këtë rast ai është dënuar dhe ka bërë 8 muaj burg.

Më tej më 24 nëntor të vitit 2012 është shpallur në kërkim nga ana e komsiariatit të Bulqizës për veprat penale “Kanosje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Më 20 prill të vitit 2013, rreth orës 15.00, në lagjen Gjeologu të qytetit Bulqizë përballë lokalit të shtetasit I. B., pas një shkëmbimi zjarri Fadil Ternova dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Shefqet Shehun dhe ka plagosur rëndë Vehad Shehun, si dhe ka mbetur i plagosur edhe vetë.

Lidhur me këtë ngjarje Fadil Ternova u arrestua dhe krahas tij edhe Luan Ternova dhe Vehap Shehu.

Për këtë ngjarje 27-vjeçari i arrestuar pasditen e sotme, ka bërë dy vjet paraburgim që i është llogaritur 3 vite burg.

Mësohet se i riu dyshohet edhe për disa ngjarje të tjera të rënda evidentuar në territorin e Bashkisë Bulqizë dhe po punohet për dokumentimin e tyre.

Gjatë operacionit të ditës së sotme është arrestuar në flagrance edhe Veli Nika 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vajkal rrethi Bulqizë. 29- vjeçari u arrestua i akuzuar për “Përkrahje e autorit të krimit” pasi ka ndihmuar Fadil Ternovën, duke e transportuar me automjet.

Gjithashtu edhe Veli Nika dyshohet se është autor i disa ngjarjeve kriminale në territorin e Bashkisë së Bulqizës dhe Dibrës si dhe është proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale.

Në ngarkim të Fadil Ternovës materialet i kaluan Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje të armeve e municioneve luftarake”. /k.k/noa.al/