Transmetuar më 11-12-2017, 09:54

Aplikimet për postin e kryeprokurorit të përkohshëm do të vijojnë deri nesër në orën 18:00. Ndërkohë kryeministri Edi Rama në fjalën e tij përsëriti edhe njëherë apelin drejtuar opozitës për të zgjedhur një emër me konsensus.

"Përfitoj nga rasti t’i drejtohem përsëri ta shfrytëzojmë këtë moment për të eksploruar çdo mundësi mirëkuptimi dhe për të dalë me një zgjedhje të mirëkuptuar mes palëve të prokurorit të përkohshëm. 

Ne e kemi mundësinë dhe të drejtën të zgjedhim Prokurorin e Përkohshëm, ashtu siç kishim të drejtën të hynim në zgjedhje pa i shtrirë dorën në mënyrë të vazhdueshme opozitës dhe nuk e shfrytëzuam në emër të interesit kombëtar e publik, sot përsëri ne jemi shumica që e shikon këtë çështje jo me syrin e momentit, qëllime të tjera përpos qëllimit strategjik të vendit tonë që është në radhë të parë i materializuar në çeljen e negociatave”, u shpreh Rama.

Ai theksoi me tej, se nëse ka vullnet apo largpamësi, ata mund të bëjnë një proces bashkëpunimi. “Jemi më afër se asnjëherë për çeljen e negociatave për anëtarësim. Deri në sekondën e fundit duhet të bëjmë progres. Natyrisht që negociatat nuk varen vetëm nga Shqipëria. Konjukturat politike në çdo vend kanë peshën e tyre kanë rolin e tyre, por duhet të jemi të kënaqur që presidenti i këshillit evropian ishte i gatshëm për çeljen e negociatave. 

Nëse opozita nuk tregon interes për vendin në këtë moment ne do të zgjedhim prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm me shumicë të thjeshtë, por duhet të luftojmë deri në fund për të arritur një marrëveshje. Opozita mund të vazhdoj në ato kauza që ajo i quan të drejta në luftën e saj kundër qeverisë. Mund të vazhdoj debatin politik të ditës së ta dojë në shqip, por kur bëhet fjale për anglisht, duhet të bëhemi të gjithë një”, shtoi Rama.

Me tej, Rama sqaroi ftesat e vazhdueshme drejtuar opozitës. “Nuk rresht deri në sekondën e fundit ftesën për opozitën të bëhet pjesë e procesit, se nuk mundet dot që avazi të fillojë gjithnjë nga e para sa herë flitet për zbatimin e reformës, nuk ka mundësi që as ne, SHBA dhe BE të mos lexojnë dot ligjin ashtu si duhet dhe vetëm opozita na qenka në gjendje të bëjë leximin e duhur, është e qartë, njerëzit e kuptojnë shumë mirë, por koha, momenti strategjik i vendit është i tillë që duhet tu japë kolegëve tanë në opozitë arsye për të kapërcyer mbi vetveten dhe për të bërë për Shqipërinë ata që ka nevojë sot”, tha Rama.

Ne fund, kryeministri e mbylli fjalën me këtë mesazh: “I lutem shumë Lulzim Bashës ta dëgjojë mirë këtë mesazh dhe të marrë të gjithë përgjegjësinë e udhëheqjes së opozitës në drejtimin e duhur që është çelja e negociatave, janë proces i gjatë, sa më shpejt të çelen aq më mirë është dhe për çdo forcë që aspiron të qeverisë këtë vend duke qenë sot në opozitë”. /b.l/noa.al/