Transmetuar më 09-12-2017, 10:53

Një javë pasi u plagos me thikë në Islandë ka ndërruar jetë në spital i riu shqiptar. Mediat islandeze shkruajnë se Klevis Sula nga Shqipëria, lindur më 31 mars të vitit 1997, jetonte dhe punonte në Islandë. 

Pasditen e së dielës më 3 dhjetor, Klevisi ishte në Austurvellir në qendër të kryeqytetit Rejkjavik së bashku me partneren e tij, kur u qëllua disa herë me thikë nga një tjetër shqiptar. 

Autori i dyshuar është tani në paraburgim. Mësohet se ai nuk dëshmoi dot në daljen e parë përpara gjykatës për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ndërsa do të dalë sërish përpara gjykatës së Rejkjavik në 15 dhjetor të vitit 2017.

Klevisi u dërgua në spital duke ndërruar jetë të premten. Prindërit e tij kanë udhëtuar nga Shqipëria, ndërsa i riu jetonte me xhaxhain e tij në këtë vend. Në Islandë ndodhin shumë pak krime të rënda.

Miq dhe bamirës të Klevisit po mbledhin të ardhura për të ndihmuar familjen e tij për sjelljen e trupit të të riut në Shqipëri.

Lajmi i ndarjes nga jeta të 20 vjeçarit nga Skrapari u publikua edhe në faqen zyrtare të policisë islandeze dhe në shumë media vendase. /b.l/noa.al/