Transmetuar më 09-12-2017, 10:01

Policia e Lezhës vijon hetimet intensivisht nën udhëheqjen e prokurorit për zbardhjen e ekzekutimit të 48 vjeçarit Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka.

Mësohet se 48-vjeçari ka qenë duke u kthyer në banesë në lagjen “Nënë Tereza” në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4:25 kur dy ose më shumë persona ende të paidentifikuar të cilët i kishin zënë pritë e kanë qëlluar me breshëri automatiku jo nga një distancë e largët. 

Autorët kanë pasur mundësi të largohen, duke qenë se rruga kryesore Lezhë- Tiranë është vetëm 100 metër larg nga banesa.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 14 gëzhoja kallashnikovi. Policia ka marrë dëshmitë e para nga familjarët pas ngjarjes. 

Ata kanë pohuar se kanë dëgjuar zhurmën e të shtënave me armë zjarri, por kanë deklaruar se "menduam se ishin fishekzjarrë".

Pranë vendit ku ndodhi krimi janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth. Mësohet se banesa e viktimës nuk ka pasur kamera sigurie të vendosura.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vrasjes. Po kontrollohen edhe hyrje- daljet në Shqipëri të personave të panjohur apo skeduar nga Kosova apo vende të tjera. /b.l/noa.al/