Transmetuar më 07-12-2017, 19:04
Publicitet

“Peshkonte” qytetarët që kishin nevojë për viza, mashtruesi bie në rrjetën e drejtësisë. Një 56-vjeçar nga Korça ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi prej 7 vitesh ishte në arrati, ndërkohë që ishte dënuar nga Gjykata për mashtrim.

Sipas të dhënave, Lulëzim Nazifi u ndalua nga Policia, pasi me vendim të vitit 2010, Gjykata e ka dënuar me 6 vite burg për “Mashtrim”.

Akuzat ndaj tij ishin ngritur pasi Nazifi, asokohe 50 vjeç, rezulton se u kishte premtuar disa personave pajisjen me viza pune për në shtetin grek, në këmbim të një sasie parash, duke i mashtruar këta të fundit. Rasti u zbulua në vitin 2009, ku Lulëzim Nazifi u denoncua nga një banor i fshatit Zvezde.

Nazifi i kishte premtuar se do t’i nxirrte një vize pune për në shtetin fqinj, duke ndërhyrë në konsullatë. Sipas Policisë së Korçës, qytetari i kishte paguar shumën prej 140 mijë lekësh dhe pasi nuk kishte marrë vizën, ka bërë denoncim në komisariat, raporton Panorama

Ai rezulton në listat e Policisë si i dyshuar për mashtrime në konsullatën greke në Korçë dhe u akuzua nga Prokuroria për veprën penale të “Mashtrimit me qëllime përfitimi”.

Ndërkaq, sipas të dhënave nga dosja e gjykimit, Prokuroria ka arritur të dokumentojë edhe dy raste të tjera ku Nazifi kishte marrë prej tyre një shumë prej 1500 eurosh dhe pasi i kishte mbajtur me shpresë se do t’u siguronte vizë pune në konsullatën greke, ai shkëpuste çdo kontakt me ta, duke përvetësuar kështu shumën e parave.

56-vjeçari u arrestua në qytetin e Korçës, rreth 7 vite pas vendimit të Gjykatës, ndërkohë që nuk jepen detaje se ku ka qëndruar i fshehur gjatë gjithë kësaj kohe.

Loading...