Transmetuar më 07-12-2017, 12:42
Publicitet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu del me deklaratë lidhur me çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llalla.

Ai thotë se Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta, duke kërkuar që Parlamenti të zbatojë ligjin.

“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”, thuhet në deklaratën e shpërndarë mesditën e sotme.

PS kërkon kryeprokuror të përkohshëm

Komisioni i Ligjeve ka nisur sot mbledhjen për të diskutuar situatën e zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës.

Kjo mbledhje vjen një ditë pasi Kryeministri Edi Rama i bëri ftesë kreut të opozitës Lulzim Basha që të bëjnë një pakt lidhur me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Por ditën e sotme PD i dërgoi një letër kryeparlamentarit Gramiz Ruçi duke i kërkuar që të ndërpresë procesin, deri në momentin që të jetë sqaruar situata ligjore.

Drejtuesi i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se sot do të vendoset çelja e procedurave për miratimin, përcaktimin e prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Relatori i çështjes Bledi Çuçi publikoi projektvendimin e propozuar nga Partia Socialiste.

Projektvendimi i propozuar nga PS:

-Miratimin e procedurës së prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.

A) Komisioni i Ligjeve fton prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e

prokurorëve që brenda 5 ditëve të depozitojnë një CV të kandidatit.

B) Menjëherë pas depozitimit të listës, komisioni përgjegjës bën publikimin e saj dhe cakton datën për zhvillimin e seancës.

C) Pas zhvillimit të seancës komisioni i ligjeve shqyrton dokumentacionin dhe harton raportin për seancën plenare.

D) Kuvendi voton për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Demokrati Eduart Halimi replikoi duke thënë se askush nuk e kishte menduar që pas 3 vitesh Partia Socialiste do të shpikte Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm për punët tuaja.

“Jemi përplasur dhe në Komisionin e Venecias për Prokurorin e Përgjithshëm. Komisioni i Venecias i tha qartë: Prokurori i Përgjithshëm nuk do të emërohet nga partitë politike”, tha Halimi.

Po ashtu demokrati Enkelejd Alibeaj e cilësoi si diçka të pazakontë, duke pyetur se ku e gjen të drejtën Sekretari i Kuvendit të iniciojnë një procedurë parlamentare.

“Nuk është tentativë apo aludim që një parti kërkon të kapë prokurorin e përgjithshëm, sot është fakt. Po tentoni të rrëmbeni kreun e akuzës për ato kompetenca që ka. Ju mund të keni edhe probleme me Llallën, por më shumë me dosjet duke iu shtyrë të merreni në nismë në shkelje të procedurave. Duhet t’i thërrasim arsyes dhe të pozicionohemi jo kundër një individi por kushtetutës. Sot nuk ka një ngërç të pazgjidhshëm. Ju po e

shpikni ngërçin”, deklaroi ai. /a.y/noa.al

Llallës i përfundon mandati, PS kërkon kryeprokuror të përkohshëm

“Prokurori i Përgjithshëm”, Rama ftoi Bashën për pakt, PD ka këtë përgjigje

Kryeprokurori i ri, Rama ftesë Bashës: A mund të bëjmë një pakt?