Ashtu siç u lajmërua një ditë më parë, paraditen e kësaj të enjteje u hodh shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Nga Gjykata Kushtetuese u zgjodhën dy anëtarë të përhershëm dhe një zëvendësues: Besnik Imeraj, Altina Xhoxhaj dhe Vitore Tusha zëvendësuese.
Nga Gjykata e Lartë u zgjodh Artan Broci dhe Shkëlzen Selimi zëvendësues.
Nga Prokuroria e Përgjithshme shorti zgjodhi prokuroren Rovena Gashin, e cila ishte e vetme në garë.
Ndërkohë nga prokurorët e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit u zgjodhën Gentjan Trenova dhe Fatjona Memçaj.
Nga Gjykata e Apelit, Enton Dhimitri dhe Fatos Qato. Nga Gjykata Administrative Ahmet Jangulli.
Ndërkohë anëtar zëvendësues nga Gjykatat e Apelit dhe Administrative, Sotiraq Lubonja.
Por para hedhjes së shortit mbledhja pati debati, ku deputeti demokrat Eduard Halimi kërkoi ndërprerjen e procesit.
“Debati është që partia politike të mos ketë ndikim në zgjedhjen e KED. Sot PS apo nesër një parti tjetër të mos ketë ndikim që të zgjedhje kryeinspektorin që do kontrollojë sistemin gjyqësor”, tha ai.
Halimi shtoi se propozimi i PD ishte dhe mbetet që deri në krijimin e KLGj dhe KLP është e pamundur të zgjidhet një KED tjetër.
Socialisti Ulsi Manja kërkoi që debati politik t’ia lërë vendin debatit kushtetues dhe ligjor.
“Unë kërkoj mirëkuptimin e opozitës që nëse duan që mos humbim asnjë minutë në krijimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, hajdeni të zbatojmë ligjin dhe kushtetutën dhe ti japim shqiptarëve atë drejtësi që duan”, deklaroi ai. /a.y/noa.al