Transmetuar më 18-11-2017, 10:18

Britanikja “The Sun” i ka kushtuar një shkrim lajmit për dezertimin e 4 komandove shqiptarë në Angli, duke sjellë detaje rreth trajnimit që ata po kryenin në Britaninë e Madhe si dhe kushtet në të cilat punojnë ushtarakët në Shqipëri.

“The Sun” shkruan se 4 komandot të cilët u zhdukën nga një mision trajnues në Britani, dyshohet se po fshihen, ndërsa Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka nisur një hetim penal për ta.

Më tej shkruan se për Reni Ajazi, Ylber Kotori, Aleksandër Shkulaku dhe Kleviz Lamaj, mund të jepet një masë dënimi me 5 vite burg.

 “Ata ishin në mesin e 11 shqiptarëve të trajnimit të NATO-s në Uellsin qendror, fluturimet dhe akomodimi i të cilëve, përfshirë natën e fundit në Londër, u paguan nga Ministria e Mbrojtjes. Një burim tha: Ata duhet të ishin kthyer në bazë dhe të fluturonin mbrapsht për në Shqipëri ditën e nesërme”, shkruan ndër të tjera “The Sun”

Më tej media britanike ka cituar edhe një postim të ish-kreut të Forcave Speciale shqiptare Dritan Demiraj ku ky i fundit i bën thirrje për t’u kthyer në stërvitjen ushtarake.

“Unë e konsideroj sjelljen e tyre të papranueshme. Unë e di se ata nuk paguhen mirë dhe punojnë në rrethana të vështira, por ato që bënë ishin të pajustifikuara. Ata udhëtuan në Britani për të përfaqësuar Shqipërinë në një stërvitje ushtarake dhe unë u kërkoj atyre të kthehen në vendin e tyre sa më parë të jetë e mundur”, shkruan Demiraj në Facebook. /b.l/noa.al/