Transmetuar më 17-11-2017, 10:26

Një person ndodhet në gjendje kritike si pasojë e një ngjarje të pazakontë që ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Mbrëmjen e djeshme, e enjte, rreth orës 21.30, në fshatin Xibër të Matit, është shkëputur një masiv shkëmbor duke rënë mbi një banesë.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor ku kanë konstatuar se në lagjen “Mali i Zi”, fshati Xibër-Murrizë, Mat, nga rreth 100 metra lartësi është shkëputur nga shpati i malit një masiv shkëmbor.

Për pasojë është çarë muri i banesës së Bajram Tafa, rreth 53 vjeç, ku për pasojë ky i fundit ka mbetur i dëmtuar rëndë.

I plagosuri pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Burrelit është nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar.

Mësohet se në banesë ndodhej e gjithë familja dhe nuk ka të dëmtuar të tjerë përveç Bajram Tafës.

Aktualisht grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku vijojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje. /a.y/noa.al