Transmetuar më 17-11-2017, 07:43

Katër komando të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pas një shërbimi në Britaninë e Madhe, janë arratisur, duke dezertuar.

Këtë të enjte u bë e ditur se Ministria e Mbrojtjes është vënë në alarm për moskthimin në bazë të katër komandove të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Mësohet se ata ishin dërguar në një trajnim në Angli, por nuk janë kthyer me pjesën tjetër të grupit që ka mbërritur në atdhe rreth tre javë më parë.

Lidhur me këtë rast Ministria e Mbrojtjes ka dalë me deklaratë, duke bërë me dije se katër efektivë ushtarakë, që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj.

“Sipas “Kodit Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit, Tiranë është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatese”, thuhet në qëndrimin e ministrisë.

Komandot që kanë dezertuar janë Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj (dy të rinjtë në fotografi), dhe Reni Ajazi dhe Ylber Tokrri.

Bëhet e ditur se komandot që u arratisën nga shërbimi në Angli, u nisën nga Shqipëri më 4 tetor, por më datë 19 kur parashikohej kthimi, ata janë arratisur në kërkim të një jete më të mirë, duke dezertuar. /a.y/noa.al