Transmetuar më 16-11-2017, 13:33

Një bandë e trafikut ndërkombëtar të drogës është shkatërruar ditën e sotme gjatë një operacioni të madh të zhvilluar nga policia e Firences në Itali.

Rreth një ton kanabis sativa është sekuestruar nga policia italiane në bashkëpunim me atë holandeze, prej nga vinte dhe droga.

Sipas mediave italiane, dyshohet se pika e nisjes së drogës ishte Shqipëria, me destinacion Italinë, duke kaluar nga Holanda.

Në kuadër të operacionit të përbashkët, janë vënë në pranga disa persona, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Hetimet kanë nisur në maj të vitit 2015 pasi ranë në gjurmët e një grupi shqiptar që merrej me trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në Itali përmes Holandës si dhe me riciklimin e të ardhurave nga ky trafik.

Hetimet e skuadrës së Firences kanë zbuluar dinamikën si organizata importonte kokainë nga Amerika e Jugut në Holandë për ta shpërndarë më pas në disa shtete të Europës, mes tyre Italia dhe Anglia.

Sipas hetimeve organizata kriminale ishte në gjendje të fuste në tregun italian të paktën 20 kg kokainë të pastër 97% në dy javë.