Transmetuar më 14-11-2017, 13:40
Publicitet

Një prej personave të shpallur në kërkim për drogën prej 1.5 tonësh të kapur në Vilun të Velipojës të shtunën, është vënë në pranga.

Burime nga policia bëjnë me dije se kanë ndaluar Gjovalin Ndoj, 30 vjeç nga Lezha. Ky ishte shpallur në kërkim, pasi i kishte shpëtuar policisë duke u arratisur me vrap.

Gjovalin Ndoja ka qenë në makinë bashkë me policin, Enriko Zyle kur është arratisur.

Në pranga gjatë së shtunës, përfunduan shtetasit: Sokol Ujka, Enriko Zyle, Arbër Bozhanaj, Gerti Danaj, Dervish Gjolekaj.

Rreth 1.5 ton drogë u sekuestruan të shtunën në plazhin e Velipojës, ku në përfundim të operacionit u shoqëruan pesë persona, një prej të cilëve efektiv policie.

Drejtori i policisë së Shkodrës, sqaroi përpara medias të gjithë dinamikën e operacionit, të koduar “Viluni Beach”.

“Rreth orës 02.45 minuta, pas mesnate, në vendin e quajtur  Plazh Velipojë, konkretisht në oborrin e hotelit në pronësi të shtetasit P.V, rezident në Itali, në  një automjet  Furgon  me targa AA 386 CE, në përdorim nga shtetasit, J.B, 20 vjeç, u gjet një sasi e madhe lëndë narkotike”, sqaroi kryepolici i Shkodrës.

Po ashtu, kontrollet kanë vijuar edhe brenda hotelit, ku në katin e parë është konstatuar një sasi tjetër lënde narkotike e paketuar dhe e futur në 6 çanta shpine. Në përfundim rezultoi se pesha totale e drogës, kanabis sativa, ishte 1502 kg. /b.l/noa.al/