Transmetuar më 14-11-2017, 08:29

Princi Harry i Anglisë akuzohet se ka thyer rregullat e protokollit ushtarak gjatë celebrimit të Remembrance në Londër. Djali i dytë i princit Charles dhe të ndjerës Diana, u paraqit me mjekër, ndërkohë që mbante veshur uniformën ushtarake britianike, në një kohë që rregullat e forcave të armatosura parashikojnë që të gjithë të jenë të rruar dhe pa mjekër.

33-vjeçari, e la ushtrinë në vitin 2015 për t’iu dedikuar akteve bamirëse dhe detyrave të tjera mbretërore. Por pavarësisht kësaj është i detyruar që të respektojë rregullat e regjimentit të tij.

Të paktën kështu pretendon një anëtar i regjimentit i cili duke folur për ‘Daily Mail’, tha se Harry zhgënjeu shumë ushtarakë, “Nuk ka vend për mjekër në kavalerinë e mbretëreshës”.

Ndërkohë një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes e justifikoi veprimin e tij duke thënë se “Harry nuk është më në shërbim. Por si anëtar i familjes mbretërore, ndonjëherë mund të veshë dhe uniformë”.

Ushtria britanike nuk i lejon ushtarët e saj që të mbajnë mjekër, me përjashtim të rasteve të rralla si sëmundje lëkure apo arsye fetare. /a.y/noa.al