Transmetuar më 13-11-2017, 14:45
Publicitet

Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu ka reaguar në lidhje me kërkesën e demokratëve për ta përjashtuar atë 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Ndreu e krahason Partinë Demokratike me një kopsht, ku “kalamajtë janë qaramanë”.

“Me ardhë djali në shpi nga kopshti me të thënë, se njeri më tha do të rrafë, ti se merr seriozisht! Në kopështin e PD kalamajtë janë qaramanë e vënë kujën për asgjë! Medaljet neëpolitike nuk fitohen kështu. 

Po kur thonë se duhet tërheqë zvarrë, duhesh kapë për zhelesh, apo kur artikulojnë akuza publike banale e të gënjeshtra për drogë e idiotësi këta të kopështit të PD?! Këta shohin qimen të syri tjetrit e nuk shohin traun te syri vetë! Mjerë ne për opozitën e lodhur dhe qaramane”, shkruan Ndreu.

Më herët Partia Demokratike ka kërkuar që deputeti socialist Pjerin Ndreu të përjashtohet me 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Sipas PD-së, Byroja e Kuvendit duhet të mblidhet brenda 48 orëve për të marrë këtë vendim. 

PD në argumentin e saj sqaron se deputeti socialist ka fyer dhe kërcënuar, deputetin demokrat, Ervin Salianji. Shkak u bë një sherr në Komisionin e Sigurisë, ku Ndreu i drejtohej deputetit Ervin Salianji me fjalët: “Do hash dajak; Ti do rrahur”, etj.

Por sipas burimeve mësohet se Byroja e Kuvendit nuk e ka pranuar kërkesën e PD-së për përjashtimin e deputetit socialist Pjerin Ndreu nga Kuvendi, pasi gjykoi se Ndreu e ka “kërcënuar” deputetin Ervin Salianji në komisionin parlamentar të para pak ditëve me shprehjet "do hash dajak, ti do rrahur". 

Gramoz Ruçi, në deklaratën e tij tha se “mbledhja nuk mund ta shqyrtojë këtë rast, pasi Byroja nuk ndëshkon kur njerëzit shahen në komisione”. /b.l/noa.al/