Transmetuar më 12-11-2017, 20:52
Publicitet

Tre ditët e qëndrimit në Kretë të Greqisë, nuk i ka kaluar vetëm me orë të pafundme negociatash, por edhe me dreka, shëtitje dhe argëtim.

Ditmir Bushati i shoqëruar nga këshilltari i tij Glevin Dervishi, siç shikoni edhe pamjet që ju sjell noa.al, kanë kaluar kohën nën ritmet e muzikës greke duke kërcyer.

Ata ia kanë marrë valles bashkë me ministrin e jashtëm grek Nikos Kotzias si dhe me kryetarin e bashkisë së Kretës.

E jo vetëm kaq.

Bushati ka shkuar edhe te shpella e Zeusit ku sikundër shikoni galerinë e fotove që shoqëron këtë raport nga Kreta, ka parë nga afër vendin ku legjenda thotë se lindi Zeusi.

Në Hersonisos të Kretës, Bushati ka qëndruar në një nga hotelet me pesë yje. Po aty janë zhvilluar edhe bisedimet.

Duket se takimi me Kotzias ka qenë goxha pozitiv, që të dy janë kthyer me një avion, ai i qeverisë greke. Ata kanë mbërritur në Tiranë, ku duket se malli për njëri-tjetrin nuk i ka lënë të drekojnë sërish, sikurse raportoi sot Top Channel. Dy ministrat kanë ngrënë drekë bashkë në Rinas dhe më tej Kotzias i hipi sërish avionit të tij për të shkuar në Bruksel, ku merr pjesë të hënën në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian. /noa.al/