Transmetuar më 08-11-2017, 18:25

Të gjitha rrugët kombëtare në Shqipëri, përfshirë ato që konsiderohen autostrada si A1 e Vlorës apo A2 e Elbasanit, si dhe superstradat si ajo Tiranë-Durrës, etj., janë me zero standarde sigurie.

Pohimi është bërë sot nga Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me kompani dhe sipërmarrje për modernizimin e infrastrukturës.

“Ne jemi një vend ku nuk është financuar pak përsa i përket infrastrukturës rrugore kombëtare dhe për fat të keq, nëse do të vendosim në balancë paratë e financuara në vite me produktin e marrë, nuk mund të mos shohim se ka një hendek shumë të madh midis asaj që presupozohej të ndërtohej dhe asaj që faktikisht është ndërtuar. Sepse, ndër të tjera, planifikimi kombëtar ka qenë i mangët, projektet kanë qenë të mangëta, kontratat kanë qenë të mangëta, supervizionimi ka qenë i mangët dhe në fund, produkti është i mangët”, - tha z.Rama dhe shtoi:

“Ne sot, në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht financimeve të bëra, nuk kemi asnjë rrugë kombëtare të certifikueshme sipas standardeve europiane të lëvizshmërisë dhe sigurisë. Zero!”.

Rama tha se ambicia e qeverisë që dytë që ai drejton është që “në këtë katërvjeçar ta bëjmë të mundur pikërisht këtë transformim, që akset tona kombëtare të kthehen në akse të sigurta, që garantojnë lëvizshmërinë dhe mbi të gjitha që nuk kërcënojnë jetën e askujt, në pikëpamje të asaj që infrastruktura garanton. Tjetër çështje aksidentet që ndodhin në rrugë për shkak të automjeteve dhe problematikave, që i ka gjithë bota në këtë drejtim”.

Rama njoftoi se për vitin e ardhshëm do të ketë një buxhet 42% më të lartë për financimin e infrastrukturës dhe shtoi: “Që do të thotë jo pak, edhe pse nuk është i mjaftueshëm për të përfytyruar në një hark kohor të shkurtër, ndryshimin që duam. Ama është plotësisht i mjaftueshëm, nëse projektet janë të duhurat, nëse kontratat janë të duhurat, nëse supervizionimi është i duhur e natyrisht, nëse punët janë të duhurat, që ne të hedhim hapin e parë”.

Kryeministri përmendi dhe Programin “1 miliard për rindërtim”, që tha se është një program kombëtar i dedikuar për modernizimin dhe transformimin e akseve kryesore kombëtare.

Ai njoftoi se janë 10 segmente të rëndësishme që do të mbulohen me financim nga buxheti i shtetit në vitin 2018 dhe i shtjelloi ato si më poshtë:

“Në këto financime të rëndësishme, së pari, është çuarja përpara e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, si me përfundimin e aksit verior, edhe me fillimin e një transformimi rrënjësor të portës hyrëse të Tiranës, me dy akset, majtas drejt Bulevardit të Ri dhe djathtas për t’u lidhur me aksin e sapo përfunduar tek zona e pallatit me shigjeta.

By-pass-i i Tepelenës, edhe kjo një nyje shumë e rëndësishme, në funksion jo vetëm të garantimit të lëvizshmërisë dhe sigurisë sipas standardeve europiane, por edhe të zhvillimit të mëtejshëm të të gjithë zonës së bashkisë së re të Tepelenës dhe në funksion të turizmit që ka filluar pak nga pak të kthehet në një prani që do të shkojë duke u rritur në atë zonë për shkak të trashëgimisë kulturore dhe të lidhjes që ne do të bëjmë midis zonës së Tepelenës dhe zonës së Himarës.

Do të garantojmë fillimin e punimeve për përfundimin e rrugës Korçë - Ersekë, një histori shumë e vjetër që merr fund.

Do të garantojmë edhe çlirimin e një ngërçi të tmerrshëm disavjeçar, ku u gjendëm për shkak tipik të një gare me mangësi, të një kontrate me mangësi, të një supervizionimi me mangësi në dy By-pass-et kyçe të Fierit dhe të Vlorës, që janë vënë në rrugën e zgjidhjes dhe vitin e ardhshëm do të fillojë puna, pas përfundimit të garave. 

Jeni njohur me ecurinë e projektit të Rrugës së Arbrit përmes mediave, tani mbetet vetëm finalizimi i kontratës dhe fillimi i punës në terren, për të mos u ndalur më, deri në përfundimin e kësaj lidhjeje shumë të rëndësishme, që do ta kthejë të gjithë zonën e Dibrës në zonën veriore të metropolit”.

Në fund të këtij argumenti, z.Rama premtoi se “ne do të bëjmë një politikë shumë agresive për sistemimin e kontratave në mënyrë që të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime, për sistemimin e supervizionimit që është një problem themelor në këtë vend dhe do të jemi me tolerancë zero ndaj të gjithë supervizorëve që do të mashtrojnë në dëm të buxhetit të shtetit”.

Ai bëri dhe një tjetër premtim, për ndriçimin e rrugëve kryesore të vendit, pasi bëri këtë konstatim: “...kemi qartësi për domosdoshmërinë e vënies në funksion të ndriçimit publik në rrugët kryesore të vendit. Sa vite ka qeveria shqiptare që paguan shtylla ndriçimi dhe sa shtylla keni parë që punojnë natën për t’iu dhënë dritë qytetarëve? Përjashto aksin Tiranë-Rinas, e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë është në errësirë”. /noa.al/