Transmetuar më 07-11-2017, 11:24

Në Tiranë, u zhvillua takimi i tetë i Bordit Drejtues në Nivel Ministror të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), takim i cili u kryesua nga Zv/Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi dhe ku morën pjesë ministrat përkatës që mbulojnë administratën publike në vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnia dhe Herzegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia),  përfaqësues të rëndësishëm nga Komisioni Evropian, si dhe ekspertë të shumtë rajonal.

Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) është një organizatë jo-qeveritare, e cila mbështet bashkëpunimin rajonal të administratave publike të Ballkanit Perëndimor. Aktivitetet e saj mbështeten nga Komisioni Evropian (KE) përmes fondeve të menaxhuara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe bashkë-financohet përmes kontributeve vjetore të shteteve anëtare të ReSPA-s.

Qëllimi i ReSPA-s është që t’i mbështesë qeveritë e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë një administratë më të mirë publike, shërbime publike dhe sisteme të përgjithshme të qeverisjes më të mira për qytetarët dhe bizneset e tyre dhe t'i përgatisë ata për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Në fjalën e hapjes të këtij ministeriali, Zv/Kryeministrja Mesi u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare të ReSPA-s në fushën e Administratës Publike, është një mekanizëm i mirë për të lehtësuar shkëmbimin e përvojave të përbashkëta, të praktikës me BE-në dhe institucioneve të BE-së.

Sipas saj, prezenca në këtë takim e përfaqësuesve të lartë nga Ballkani Perëndimor, tregon qartë vendosmërinë e secilit vend për të çuar përpara angazhimet e ndërmarra për një bashkëpunim sa më efikas në drejtim të forcimit të kapaciteteve për implementimin e Reformës së Administratës Publike, si dhe ndarjes së përvojave respektive, duke ecur kështu krah për krah njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.

Zv/Kryeministrja Mesi theksoi gjithashtu se Qeveria Shqiptare ngelet plotësisht e fokusuar për implementimin e reformës në administratën publike, për forcimin e kapaciteteve njerëzore, si dhe e angazhuar për të realizuar një reformë të plotë në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike për qeverisje sa më efiçiente dhe elektronike në favor të qytetarëve dhe sipërmarrjes.

Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, u prezantuan rekomandimet e ekspertëve lidhur me përmirësimin e kuadrit rregullator nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut në këtë proces; metodologjia e kostimit të strategjive; si dhe procesi elektronik i rekrutimit në Shqipëri, si një ndër praktikat e suksesshme të identifikuara tashmë në rajon.

Objektivat kryesore të ReSPA-s në periudhën 2016-2020 janë: përmirësimi i bashkëpunimit në fushën e administratës publike midis shteteve anëtare të saj; forcimi i kapaciteteve administrative në administratat publike të shteteve anëtare ashtu siç kërkohet nga procesi i integrimit evropian; si dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në administratat publike të vendeve anëtare në përputhje me Parimet Evropiane të Administratës Publike.