Transmetuar më 28-10-2017, 14:00

Një operacion i ndërmarrë nga Policia Vendore e Lezhës në bashkëpunim me forcat RENEA bpri tw=p mundur arrestimin e disa personave, mes tyre edhe Samuel Ndoka, nipi i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Ai akuzohet se gjatë ditës së zgjedhjeve në 25 qershor së bashku me kushërinjtë e tij plagosën Florian Dushkun, aktivist të LSI-së.

Në një deklaratë për mediat, drejtori për Krimet në Policinë e Shtetit, Josif Shtëmbari, tha se 18 vjeçari Samuel Ndoka, banues në Lezhw, është kapur në flagrancë me armë pa leje. Ai ka qenë në kërkim pasi u dënua me arrest me burg për kanosje dhe plagosje për ngjarjen e 25 qershorit në Shëngjin.

Bashkë me të, u arrestua edhe Paolo Marinaj, pasi iu kap me vetë një armë pistoletë, me 7 fishekë si dhe një krehër që e mbante në çantën e krahut me 8 copë fishekë. Gjithashtu është arrestuar edhe Altin Mikaj, pasi me automjetin tip ‘Audi’, ka transportuar dhe fshehur të dy personat e sipërcituar, duke i ndihmuar për t’ju shmangur forcave të Policisë. Ndaj tij u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Përkrahje e autorit te krimit”.

Gjithashtu shërbimet e Policisë të Komisariatit nr.3, Tiranë arrestuan: Donaldo Lekgegaj, 18 vjeç, lindur ne Rreshen dhe banues në Tiranë, për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Kanosje”. Adil Sulën, 23 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, për “Moskallzim krimi”. 

Arrestimi i këtyre 2 shtetasve u bë pasi në rrugën ”Jordan Misja”, Tiranë pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, Lekgegaj ka tentuar të përdorë armën e zjarrit. 

Ndërkohë, në Përrenjas, në vendin e quajtur kthesa e Shënepremtes, nisur nga informacioni i marrë se në pyllin e njësisë administrative Stravaj, persona të ndryshëm prisnin në mënyrë të paligjshme pemët për lëndë drusore, bllokuan në orët e para të mëngjesit një kamion ngarkuar me 20 metër kub lëndë drusore të prerë pa leje si dhe pa faturë shoqërimi.

Drejtuesi i mjetit punonte për llogari të një subjekti të licensuar nga bashkia Prrenjas për prerje dhe transport lënde drurore në ngastrat e damkosura për prerje.

Nga verifikimet hetimore të kryera ka rezultuar se inspektori i pyjeve pranë Bashkisë Prrenjas, shtetasi Oltion Leka dyshohet të mos ketë ushtruar kontroll në ngastrat e marra nga subjekti dhe nuk ka marrë masa për parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve në zonën që mbulon. Leka dyshohet të ketë favorizuar këtë subjekt të presë dru të padamkosura duke shkaktuar një dëm ekonomik dhe mjedisor.

Policia e Shtetit vijon punën për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë, e në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm. /b.l/noa.al/