Transmetuar më 21-10-2017, 12:37

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se sfida kryesore e partisë së drejtuar prej saj, është ajo me krimin.

Duke folur mesditën e sotme në një takim me të rinjtë, Kryemadhi deklaroi se krimi sot drejton shtetin, policinë dhe institucionet, por nënvizoi se ka një disavantazh “nuk drejton dot zemrat e të rinjve shqiptarë, të cilët jam e bindur e kanë ndarë mendjen për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri”.

Ajo hodhi një varg akuzash ndaj Kryeministrit Edi Rama duke thënë se kërcënon drejtësinë, ndërsa shprehu bindjen se humb shpejtë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Ky vend do shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme”, tha ajo, duke nënvizuar se shqiptarët s’mund të përfaqësohen në Kuvend nga 74 karrige të blera.

“I bëj thirrje Edi Ramës, pasi ai ka rënë moralisht si Kryeministër, si politikan, të ikë sa më shpejtë! T’i hapë rrugën një njeriu më të përgjegjshëm, një njeriu që beson të vendi dhe të pavarur nga krimi, e droga”, deklaroi kryetarja e LSI. /a.y/noa.al